Vendosni fjalën kyçe....

Balla kritikon opozitën për sjelljen ndaj Dumanit në parlament: Po shkelni kushtetutën dhe mbroni Berishën


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kritikoi opozitën për sjelljen e tyre gjatë raportimeve të krerëve të institucioneve të drejtësisë në Kuvend.

Balla tha se opozita po shkel kushtetutën dhe nuk po kërkon shpjegime për çështjet e kriminalitetit, por po përqendrohet në mbrojtjen e Sali Berishës dhe në sulmimin e institucioneve të pavarura.

Ai theksoi se Kuvendi duhet të vendosë një standard të ri, ku përgjegjësia është individuale dhe raportimet e institucioneve të drejtësisë duhet të respektohen dhe të vlerësohen për rezultatet e tyre.

‘Halli i një pjesë ka zënë grykën e të gjithë.

Ajo që ndodhi sot është shkelje e asaj që ka parashikuar kushtetuta. Raportimi i Prokurorit të Përgjithshëm është raport për kriminalitetit në vend.

Do desha shumë të raportoja për bashkëveprimin e policisë së shtetit, AMP bëjnë me këto institucione në raport me luftën ndaj kriminalitetit. Në vend që opozita të kërkojë shpjegime. Vjen pyetja pse mbahet në arrest shtëpie Sali Berisha.

Ajo qasje që turreni tek foltorja a thua se kishit hall që po i shkelet e drejta Hotit të mbajë një fjalim. Ndërkohë që foltorja i ishte dhënë dikujt tjetër. Shpresa për t’ju çliruar ju nga një ky makth është zero, por e sotmja në aspektin e sjelljes suaj ishte një shans tjetër i humbur.

Minimalisht ju duhet të vinit këtu dhe pse jo edhe të duartrokisni që këto institucione kanë rezultate. A ka vend për tu përmirësuar?

Gjithmonë ka. Por mjafton që në krahun tjetër për ju është Sali Berisha dhe SPAK dhe SKAP. Nga ana tjetër e sallës nuk keni dëgjuar një fjalë të vetme që kjo parti të marrë në mbrojtje një person.

E kemi thënë nga dita e parë që përgjegjësia është individuale.

Ky është standardi që duhet të vendos Kuvendi. Foltorja nuk duhet përdorur për të sulmuar institucionin e pavarur, ata që folën këtu janë pushtetit gjyqësor.

Ne jemi pushteti ekzekutiv të ndarë përmes parimit të kontrollit dhe të balancës”, tha Balla.