Vendosni fjalën kyçe....

Beleri pas mbërritjes në Athinë: Jam i pafajshëm, e pranojnë dhe shqiptarët, grekët në Himarë nuk janë vetëm


Fredi Beleri ka mbërritur në Athinë ku është pritur me puthje dhe përqafime. Siç raportojnë mediat në shtetin helen, pasi zbriti në aeroportin Eleftherios Venizelos, Beleri deklaroi:” Nuk e them vetëm unë që jam i pafajshëm, kështu thonë edhe shqiptarët.”

“Ata nuk janë vetëm, kanë nënë Greqinë që i mbron,” raportohet të jetë shprehur ai për grekët e Shqipërisë.

Kujtojmë se Beleri, i cili e humbi mandatin si kryetar i bashkisë Himarë pasi u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për blerje votash, u lirua këtë mëngjes nga burgu për t’u nisur drejt kryeqytetit të Greqisë, nga ku më pas do të niset për në  Strasburg për t’u betuar si deputet i Parlamentit Europian.

Beleri do të ketë kohë deri në orën 16:00 të së shtunës së 20 korrikut për t’u rikthyer e për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit.

Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja, për shkak të zhvillimeve atje, ai do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale në Bruksel.