Vendosni fjalën kyçe....

Dumani në Kuvend: SPAK ka gati një strategji që pritet të publikohet në janar të vitit 2025 për krimet zgjedhore


Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani ka raportuar në Kuvend mbi raportin e vitit 2023 të SPAK. Dumani i është përgjigjur edhe pyetjeve të drejtuara nga deputetja e PD, Albana Vokshi. Sa i takon krimeve zgjedhor Dumani dha një bilanc të hetimeve.

Dumani tha se SPAK ka gati një strategji që pritet ta publikojë në janar të vitit 2025 për krimet zgjedhore.

Sa i takon çështjes McGonigal dhe pyetjes se përse Rama nuk është thirrur në SPAK, Dumani tha se është në hetim paraprak dhe i takon prokurorit të vlerësojë se kë dhe kur duhet të thërrasë në SPAK.

“Lidhur me krimin zgjedhor, janë hetuar 50 procedime penale. 17 persona janë hetuar për krim zgjedhor, 8 për gjykim, 6 kërkesa për pushim, 1 është pezulluar, 1 është bashkuar. 32 janë mbartur për vitin 2024. Tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e SPAK sa i takon krimit zgjedhor. 

Tregojnë se SPAK ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre. Në komisionin e ligjeve kam deklaruar që jemi drejt përfundimit të një strategjie sa i takon hetimit të krimit zgjedhor. 

Do bëhet publike në janar të 2025 dhe synimi është që në fillim të vitit 2024 ne të kemi krijuar instrumentet e nevojshme njerëzore por edhe mjetet teknike me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025”, u shpreh Dumani.

Gjithashtu Dumani shtoi se çështjet e përmendura më siper janë nën hetim dhe nuk mund të japë më shumë informacioneve.

“E kam vënë re që jeni aktive sa i takon kallëzimeve, por për çështje ku jeni kallëzuese drejtoju SPAK me kërkesë për marrje informacioni. Duke qenë se je kallëzuese japim informacionin e nevojshëm. Janë çështje në hetim dhe s’mund të flas”, u shpreh Dumani.

“Cili është statusi i hetimit për 4 koncesionet në Shëndetësi?”, pyetja e paraqitur nga Albana Vokshi.

“Një dihet që është për gjykim, një tjetër në hetim. Për informacionet drejtohu SPAK”, tha Dumani.

“Se këta person që i konsideroni të përfshirë në veprimtaritë kriminale vazhdojnë ende? Kush i ka penguar hetimet? Kush i mbron drejtuesit e inkriminuar?”, pyetje nga Albana Vokshi.

“Bashkëpunimi është shumë i mirë, problematika që ne kemi evidentuar e kam adresuar publikisht pjesë të raportit, edhe në Komisionin e Ligjeve. Është problematikë që duhet adresuar dhe po marrim masa për ta zgjidhur. Solla një shifër të punonjësve që janë proceduar në 3 vite, është një numër i lartë dhe po punojmë për zgjidhjen me policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme”, deklaroi Dumani.

“A keni konstatuar në dosjet e partnerëve, se në bisedat e Encrochat përfshihen ministra, deputetë, zyrtarë të drejtësisë. A keni pjesë të tyre që kanë zbardhur krimin elektoral, u kujtoj njërin prej episodeve për Metamorfozën ku Gjoka dhe Bajrat flasin për takime me Beqajn. A keni dijeni se ca ndodhi pastaj me Beqajn, a u vu në dispozicion të bandave kriminale?”, pyetje nga Vokshi.

“Është çështje në hetim, s’mund të them asgjë. SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimit me agjencitë e europës, SHBA, Britanisë, kemi bashkëpunim dhe këto çështje bëhen në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar”, u shpreh Dumani.

“McGonigal, ka kallëzim nga Bardhi. Në çfarë faze janë hetimet, në 2 vite e gjysmë se keni parë të arsyeshme të thirret Rama?” pyetja e paraqitur nga Vokshi.

“Është në hetim paraprak, është në vlerësimin e prokurorit se kë do thërrasë dhe kur do e thërrasë. E vlerëson ai kush është momenti më i përshtatshëm për të kryer veprimin e hetimor”, u shtoi më tej Dumani.

Vokshi: Pse nuk është bërë hetim për mënyrën e implementimin të koncesionit të sterilizimit? Në dijeni tonë është ndalur pjesa më e madhe tek pjesa e procedurës së dhënies së koncesionit.

Dumani: Depozitoni çdo gjetje që komisioni juaj parlamentar do vlerësojë se mund t’i shërbejë hetimit tonë, edhe në drejtim e të tjera. Çdo e dhënë është e mirëpritur sa kohë i shërben hetimit të gjithanshëm.