Vendosni fjalën kyçe....

Kryeprokurori Çela në Kuvend: Janë trajtuar 171 praktika ekstradimi nga jashtë drejt Shqipërisë dhe janë përfunduar 45


Kryeprokurori Olsian Çela thotë se përgjatë vitit 2023, institucioni që drejton ka pasur bashëpunim me autoritete të huaja gjyqësore, në fushën penale.

Gjatë raportimit në Kuvendin e Shqipërisë, Çela u shpreh se lanë trajtuar 171 praktika ekstradimi nga jashtë drejt Shqipërisë, ndër të cilat janë përfunduar 45.

Ndërkaq, Çela shtoi se 99 praktika ekstradimi janë trajtuar nga Shqipëria për jashtë, ndër të cilat janë përfunduar 48.

Sipas Çelës, eficiencë e lartë është treguar në ekzekutimin e letërporosive ku në 431 letërporosi nga jashtë drejt Shqipërisë, janë përfunduar 229, ndërkohë që në 491 letërporosi nga Shqipëria drejt vendeve te tjera, janë përfunduar 152.

“Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar ndërveprimin për rritjen e efiçencës në bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore të huaja në fushën penale. Gjatë vitit 2023, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme kanë forcuar më tej intensitetin në fushën e marrëdhënieve juridiksionale. Janë trajtuar 171 praktika ekstradimi nga jashtë drejt Shqipërisë, ndër të cilat janë përfunduar 45 dhe 99 praktika ekstradimi nga Shqipëria për jashtë, ndër të cilat janë përfunduar 48.

Eficiencë e lartë është treguar në ekzekutimin e letërporosive ku në 431 letërporosi nga jashtë drejt Shqipërisë, janë përfunduar 229, ndërkohë që në 491 letërporosi nga Shqipëria drejt vendeve te tjera, janë përfunduar 152. Janë trajtuar 280 urdhër arreste ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e huaja për shtetasit shqiptarë të cilët nuk mund të ekstradohen për shkak të shtetësisë shqiptare, nga të cilat 125 të përfunduara etj. 

Impakt në volumin e punës kanë pasur edhe marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara. Marrëveshja ndërmjet Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Shqipërisë si shtesë e Konventës Europiane “Për Ekstradimin” e vitit 1957 e cila me hyrjen në fuqi në mars të vitit 2022 u zbatua menjëherë duke filluar procedurat e ekstradimit të shtetasve shqiptarë drejt Spanjës. Në tërësi për vitin 2023 rezultojnë 9 praktika ekstradimi drejt Spanjës, nga të cilat 8 janë përfunduar.

Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut “Për transferimin e personave të dënuar” e ratifikuar me ligjin nr. 125 datë 16.12.2021, hyri në fuqi në datë 05.05.2022. Gjatë vitit 2023 janë paraqitur 38 kërkesa për transferimin e të dënuarve nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri. 

Prokuroria e Përgjithshme së bashku me Ministrinë e Drejtësisë po bashkëpunojnë ngushtë edhe me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë për shmangien e vështirësive që hasen lidhur me këto praktika dhe realizimin me sukses të transferimeve”, theksoi ai