Vendosni fjalën kyçe....

Formacioni ideal i EURO 2024 sipas statistikave të OPTA


Euro 2024 është mbyllur me kurorëzimin të dielën në darkë të Spanjës si fituese e turneut. Një aktivitet i cili ishte emocionues që nga sekondat e para e deri në të fundit të tij, me rezultate dramatike që nxorën në pah edhe aftësitë individuale të futbollistëve.

Por kush janë lojtarët më të spikatur të këtij aktiviteti? Nëse opinionet personale mund të jenë të ndryshme, gjigandët e statistikave të OPTA janë bazuar vetëm te të dhënat e prodhuara nga çdo lojtar gjatë turneut për të caktuar formacionin ideal. Dhe ashtu siç pritej, kishte shumë futbollistë nga Spanja kampione, por edhe surpriza sa u përket disa emrave që pakkush i mendonte si protagonistë kryesorë në këtë Europian.

Surprizat nisin nga porta, ku gardiani më i spikatur duke marrë për bazë numrin e pritjeve të tij ishte gjeorgjiani Mamardashvili. Para tij rreshtohet dyshja e qendrës e përbërë nga anglezi Guehi dhe zvicerani Akanzhi. Në të djathtën, gjermani Kimish ka treguar shpesh se është një ndër më të mirët në qarkullim, ndërsa në të majtën është autori i asistit të golit të fitores në finale, spanjolli Kukureja.

Fabian Ruiz i Spanjës dhe Toni Kros i Gjermanisë janë dy emrat e mesfushës së këtij formacioni, që krijonin lojë por edhe mbulonin prapavijën me veprimet e tyre.

Sa u përket tre lojtarëve që mbështetin sulmuesin, ata i përkasin të gjithë Spanjës dhe ishin titullarë në finale pasi të dhënat e OPTA vendosin aty Uilliams, Olmo dhe Jamal. Ndërkohë, në repartin e avancuar, si qendërsulmues vendoset holandezi Gakpo.