Vendosni fjalën kyçe....

Kallas lë kryeministrinë e Estonisë për tu bërë kryediplomate e BE-së


Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ka dhënë dorëheqje nga pozita si udhëheqëse e vendit baltik për t’u bërë kryediplomate e Bashkimit Evropian, raporton AP.

Kallasi, kryeministria e parë grua e Estonisë, ia ka dorëzuar dorëheqjen formale presidentit Alar Karis gjatë një takimi të shkurtër në Pallatin Presidencial në kryeqytetin Tallin, të hënën.

Estonia nën Kallasin, 47-vjeçare, ka qenë mbështetësja më e zëshme e Ukrainës në Evropë pas fillimit të pushimit rus në vitin 2022. Ajo do ta zëvendësojë Josep Borellin e Spanjës, që ka shërbyer si kryediplomat që nga vitit 2019.

Duke i përmbledhur 3 vjet e gjysmë të Kallasit në krye të kombit prej 1.3 milionë banorësh, Karis tha në një deklaratë se “ka qenë një kohë plot kriza, momente historike, siç është koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia i shkatërroi pikëpamjet tona të mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”.

Partia e Reformës shpalli më 29 qershor se do ta nominojë ministrin e Klimës, Kristen Michal, si kandidat për kryeministër për ta zëvendësuar Kallasin, detyra e fundit e të cilit ishte ta përfaqësonte Estoninë në samitin e NATO-s në Washington javën e kaluar.

Nominimi i Michalit do të aprovohet nga Karis dhe parlamenti. Ai ka shërbyer si ministër për klimën që nga prilli i vitit të kaluar.

Ish-ministri 49-vjeçar i ekonomisë dhe drejtësisë ka qenë anëtar aktiv i Partisë së Reformës, institucioni kryesor politik i Estonisë, që nga fundi i viteve të ’90-ta.