Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka raportuar para Kuvendit raportin për vitin 2023, ndërsa theksin e vendosi sërish tek vakancat e prokurortëve, të cilët përballen edhe me ngarekesë të shtuar. Ndalur në shifra, Çela tha se ka një mungesë të prokurorëve me 38%. Pra, në vitin 2023 prokuroritë kanë pasur 198 prokuorë kundrejt numrit organik prej 321.
“Përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 38 % të prokurorëve (rivlerësimi kalimtar).
Megjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian”, tha Çela.
Në raport Çela u ndal dhe te numri i materialeve kallëzuese ku u shpreh se gjatë vitit 2023 janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese.
Gjithashtu shtoi se janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, dhe janë mbartur 21011 procedime penale.
“Gjatë vitit 2023, janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, dhe janë mbartur 21011 procedime penale. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale.”
Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me 35,12 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37 %; Dibër 2,31 % ,të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi.
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, ndërsa në vitin 2022 koefiçenti i kriminalitetit ka qenë 920. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë”, u shpreh Çela.
Ndër të tjera kryeprokurori Çela u shpreh se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, por me një ulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022.
Gjithashtu shtoi se tendencë në rritje është vërejtur për veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës me 12,86 %, veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë me 9,20 % dhe veprat penale në fushën kibernetike me 22,35 %.
“Ndër grupveprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, por me një ulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022; veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39 % krahasuar me vitin 2022; sërish me një tendencë ulje të ndjeshme si në vitin e kaluar; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes 6,2%, me një ulje prej 4.68 % në krahasim me vitin 2022.
Tendencë në rritje është vërejtur për veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës”, 12,86 %; veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë, 9,20 %; veprat penale në fushën kibernetike, 22,35 %; veprat penale të trafiqeve të paligjshme”, 47,59 %; veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve”, 13,81 %”, shtoi më tej ai.