Donald Trump mbërriti të dielën në Milwaukee, ku do nominohet zyrtarisht si kandidati presidencial republikan në fund të kësaj jave, pasi i mbijetoi një atentati që ka përkeqësuar një ndarje tashmë të ashpë politike në SHBA.
Presidenti Joe Biden, një demokrat, urdhëroi një rishikim të menjëhershëm se si një 20-vjeçar i amatosur me një pushkë AR-15 u afrua mjaftueshëm për të qëlluar ndaj Trump nga një largësi prej 120 metrash mbi një çati të shtunën. Trump, si një ish-president, ka mbrojtje të përjetshme nga Shërbimi Sekret i SHBA-ve.
Trump, 78 vjeç, po mbante një tubim fushate në Butler, Pensilvani, shtet kyç në zgjedhjet e 5 nëntorit, kur ndodhën të shtënat, që për pak i morën jetën ish-presidentit.
“Rrallë shikoj larg nga turma. Po të mos e kisha bërë këtë veprim në atë ccast nuk do lisnim sot, apo jo?” – i tha Trump Washington Examiner.
Një person në turmë u vra dhe dy të tjerë u plagosën përpara se agjentët e Shërbimit Sekret të qëllonin për vdekje të dyshuarin.
Si Trump ashtu edhe Biden të dielën kërkuan qetësi dhe unitet.
Trump do pranojë nominimin zyrtar të partisë së tij në Konventën Kombëtare Republikane me një fjalim të enjten.
“Kjo është një mundësi për të bashkuar gjithë vendin, madje edhe gjithë botën. Fjalimi do jetë shumë ndryshe, shumë ndryshe nga sa do kishte qenë dy ditë më parë,” tha Trump për Washington Examiner.
Biden mbajti një fjalim televiziv nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë të dielën.
“Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune, për asnjë dhunë. Pikë. Nuk ka përjashtime. Ne nuk mund të lejojmë që kjo dhunë të normalizohet,” tha ai.
“Retorika politike në këtë vend është ndezur shumë. Është koha për ta qetësuar atë.”
Biden dhe Trump folën me njëri-tjetrin të shtunën në mbrëmje pas të shtënave. Zonja e Parë Jill Biden foli gjithashtu me ish-Zonjën e Parë Melania Trump të dielën pasdite, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Trump dhe Biden janë të bllokuar në një rindeshje të ngushtë zgjedhore, sipas shumicës së sondazheve të opinionit, përfshirë Reuters/Ipsos.
Të shtënat të shtunën shkaktuan diskutime rreth fushatës presidenciale, e cila ishte përqendruar nëse Biden, 81 vjeç, duhet të largohej pas një debati të ndërprerë më 27 qershor.
FBI tha se nuk kishte kërcënime të njohura për konventën republikane – e cila fillon të hënën.