Vendosni fjalën kyçe....

Turizmi, ikin shtetasit e Kosovës, italianët nuk na braktisin 


Pesha e turistëve nga Kosova në totalin e hyrjeve të regjistruara në vend ka shënuar rënie në janar-maj 2024 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Shtetasit nga Kosova përbënin 37% të totalit të hyrjeve për periudhën, nga 40% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Statistikat e publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se në 5 muaj hynë 1.24 milionë shtetas të Kosovës me një rritje 22.6 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Pavarësisht hyrjeve më të larta turoperatorët dhe strukturat hoteliere kanë raportuar një numër më të ulët të turistëve nga Kosova në bregdet diçka që po vërehet gjatë qershorit dhe korrikut me përjashtim të pjesës së Shëngjinit dhe Velipojës ku këta turistë janë prezentë. 

Liberalizimi i vizave duket se ka shtruar më shumë alternativa për Kosovën ku vendet e BE dhe kryesisht Greqia duket se janë destinacione të preferuara. Një pjesë e hyrjeve të shtetasve nga Kosova vetëm sa kalojnë në territorin e Shqipërisë për të shkuar të Mal të Zi, psh, apo për të fluturuar nga Rinasi.

Teksa Kosova ka rënë në peshë ata që duket se nuk po na braktisin janë italianët. Këta të fundit ishin me një rritje 40.5 për qind në janar-maj 2024 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pesha e tyre në total është rritur në 11.2 për qind në raport me 9.2 për qind që ishte vjet. 

Grupi i tretë me peshën më të lartë është Mali i Zi ku 8.4 për qind e hyrjeve i përkasin këtij shteti por në raport me 2023 ky grup ka rënie. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Maqedoninë e Veriut ku pesha u ul në 8.3 për qind të totalit nga 9.5 për qind që ishte një vit më parë. Më pas vjen Greqia me 7.6 për qind të totalit të hyrjeve dhe Anglia e Gjermania me 2.8 për qind secila. 

Rritja më e madhe në përqindje në krahasim me vetveten vihet re tek shtetasit nga Rumania me 64 për qind më shumë në janar-maj2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023 ndërsa pas tyre Kina me 59 për qind dhe vijnë francezët me 51 për qind. 

Shqipëria po vijon të jetë një destinacion “trendy” për të huajt ku numri i hyrjeve vijon të regjistrojë rritje dyshifrore muaj pas muaji. I promovuar si një destinacion i lirë Shqipëria po tërheq turistët në buxhet dhe në numra këtë vit parashikohet që hyrjet e të huajve të jenë më të larta sesa viti i shkuar që shënoi 10.5 milionë (qeveria parashikon 14 milionë). 

Në një njoftim të saj Ministria njoftoi se 4.5 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 ose 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Muaji qershor solli 1.2 milionë flukse hyrëse në vendin tonë ose 19,1% më shumë se qershori i vitit që shkoi./N.Maho 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor