Partia Socialiste ka depozituar një padi në Gjykatën e Tiranës kundrejt KQZ, pasi Komisioni Rregullator nuk miratoi afatet për organizmin e zgjidhjeve të pjesshme në Himarë.
Padia i është dërguar për dijeni edhe KQZ, ndërsa Partia Socialiste kërkon nga Gjykata e Tiranës që të detyrojë Komisionin Rregullator që të marrë menjëherë vendim për organizmin e zgjedhjeve të 4 gushtit.
Kjo padi e PS vjen pasi në mbledhjen e 4 korrikut në Komisionin Rregullator të KQZ nuk u arrit dakordësia për të miratuar afatet e zgjedhjeve të Himarës. Anëtarët votuan 3 pro dhe 2 kundër, ndërkohë që për miratimin e pr.vendimit duhej një shumicë votash 4 me 1.
Shkak për mos miratimin u bë debati mes anëtarëve për vlefshmërinë e dekretit të presidentit për shpalljen e zgjedhjeve, si edhe vendimi i KQZ për heqjen e mandatit të Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës.
Sipas projektvendimit të KQZ që nuk u miratua parashikohej që partitë politike të nisnin fushatën në 26 korrik, regjistrimi i kandidatëve ishte përcaktuar deri në 22 korrik, ndërsa partitë duhet të regjistrohen deri në datën 15 dhe koalicionet më datë 19.