Vendosni fjalën kyçe....

Detajet e pazbuluara, snajperët e policisë ishin brenda ndërtesës nga ku u qëllua Donald Trumpi


Dy hetues të FBI-së të dielën skanojnë çatinë e ndërtesës ngjitur me terrenin e panairit Butler, ku një person i armatosur qëlloi ndaj Donald Trump të shtunën

Efektivë të policisë lokale, që u caktua nga Shërbimi Sekret për të ndihmuar në zbulimin e kërcënimeve në turmë gjatë tubimit të Donald Trumpit të shtunën, ishin brenda ndërtesës ku 20-vjeçari i armatosur ishte pozicionuar në çati për të qëlluar mbi ish-presidentin, sipas një zyrtari të Shërbimit Sekret të informuar mbi incidentin.

Nga brenda ndërtesës “Agr International”, ata vunë re një burrë që vepronte fshehurazi, duke ecur para dhe mbrapa rreth ndërtesës me disa pajisje dhe dërguan një paralajmërim në radio për krerët e Shërbimit Sekret të caktuar për tubimin për t’i njoftuar ata, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të hetimeve në  vijim.

Zbulimet i shtohen pyetjeve në rritje në lidhje me planin e Shërbimit Sekret për sigurimin e zonave jashtë perimetrit dhe për dështimin e reagimit të shpejtë ndaj paralajmërimeve të shumta të hershme të veprimeve të dyshimta që po ndodhnin.

Washington Post raportoi në një analizë të hënën se kalimtarët e rastit në tubimin e Trumpit në Butler, Pensilvani, paralajmëruan policinë lokale se kishin parë një burrë duke u ngjitur në çatinë e ndërtesës. Një video e postuar në rrjetet sociale tregon një burrë duke bërtitur: “Oficer! Oficer!” ndërsa të tjerët tregojnë me dorë drejt ndërtesës.

“Ai është në çati!” thotë një grua.

Deklaratat nga një zyrtar i Shërbimit Sekret gjithashtu nënvizojnë tensionet e shfaqura midis agjencisë dhe autoriteteve lokale se kush është fajtori për faktin se personi i armatosur ishte në gjendje të kishte një pamje të qartë të tubimit dhe skenës ku po fliste Trumpo.

Shërbimi Sekret ishte përgjegjës për planin e përgjithshëm të sigurisë, por agjencia ka thënë se u mbështetur te policia locale për zonat jashtë perimetrit të sigurisë. Ndërtesa “Agr” nuk ishte brenda perimetrit, gjë që kërkonte që publiku të kalonte përmes një detektor metali përpara se të hynin në tubim.

Zyrtari i Shërbimit Sekret tha se ekipi i snajperëve brenda ndërtesës ishte nga Beaver County, që është një qark fqinj i Butler County, ku u zhvillua tubimi i së shtunës. Autoritetet lokale thanë se ishte e zakonshme që ekipet SËAT në qarqet e afërta të plotësonin sigurinë për ngjarje të mëdha në gjithë Pensilvaninë perëndimore.

Zyra e Prokurorit të Qarkut Beaver konfirmoi se një ekip SWAT nga qarku ishte në tubimin e së shtunës, por nuk pranoi të jepte informacion shtesë, duke dhënë si arsye hetimet në vijim nga autoritetet shtetërore dhe federale. Në një deklaratë me shkrim të martën, zyra e prokurorit të qarkut tha: “Ne jemi krenarë për veprimet heroike të ndërmarra nga oficerët tanë”.

Richard Goldinger, prokurori i rrethit të Butler County, tha në një intervistë se ekipet SWAT në juridiksionin e tij ishin të gjitha brenda perimetrit të sigurt.

“Shërbimi Sekret ishte përgjegjës për sigurinë dhe kështu ishte përgjegjësia e tyre të siguroheshin që vendi dhe zona përreth ishin të sigurta,” tha ai për Washington Post.

“Kjo dihet, mendoj. Kjo është puna e tyre.”

Ai shtoi: “Ata po përpiqen që fajin e tyre t’ua ngecin të tjerëve.”

Snajperët e policisë qëllojnë 20-vjeçarin që hapi zjarr në tubimin e Donald Trump

“Beaver Countian”, një gazetë lokale e lajmeve, raportoi të hënën se snajperët ishin brenda ndërtesës përtej perimetrit të sigurisë për tubimin që po zhvilohej. Gazeta raportoi se një oficer policie i Qarkut Beaver paralajmëroi një qendër komande se kishte parë një burrë me një pajisje për matjen e largësisë përpara se të ndodhte atentati.

Snajperi i Shërbimit Sekret që vrau atentatorin, 20-vjeçarin Matthew Crooks, e kishte në shënjestër dhe po përpiqej të vlerësonte nëse ai kishte një armë dhe përbënte një kërcënim, tha zyrtari. Bisedat në radio të Shërbimit Sekret kishin transmetuar se policia lokale ose kishte pikasur ose po përpiqej të gjente një burrë të dyshimtë rreth ndërtesës. Snajperi ishte një gjuajtës veteran që konsiderohet një legjendë në Shërbimin Sekret për shkak të vlerësimeve të tij të larta për saktësinë e qitjes në largësi të mëdha.

Snajperi që eliminoi Crooks-in, e qëlloi mënjehërë pasi e pa duke bërë gati armën, tha zyrtari. Ai e vrau Crooks me një fishek të vetëm, por disa sekonda pasi ai kishte qëlluar në drejtim të Trumpit, tha zyrtari.

Një pamje me dron tregon skenën ku Trump po qëndronte gjatë atentatit të së shtunës

Plani paraprak i sigurisë i Shërbimit Sekret për adresimin e një prej rreziqeve kryesore në tubim – dikush që gjuan nga një pozicion më i lartë nga jashtë perimetrit të tubimit – ishte që të vendoseshin dy ekipe snajperësh të Shërbimit Sekret përpara turmës, në çatitë e dy hambarëve që ndodheshin pas skenës së Trumpit. Snajperët vendas të vendosur brenda ndërtesës “Agr” duhej të siguronin “mbulim” dhe të vëzhgonin turmën nga mbrapa dhe jashtë perimetrit.

Drejtoresha e Shërbimit Sekret Kimberly Cheatle tha në një intervistë të transmetuar të martën në mëngjes se një pjesë e arsyes pse agjencia nuk kërkoi që një oficer policie të qëndronte në majë të çatisë së ndërtesës “Agr” ishte pjerrësia e saj.

“Ajo ndërtesë ka një çati të pjerrët në pikën e saj më të lartë dhe kështu ekziston një faktor sigurie që merret parasysh, pse ne nuk kishim vendosur dikë në një çati të pjerrët,” tha ajo.

“Kështu që u vendos për të siguruar ndërtesën nga brenda.” Çatitë e hambarëve ku ndodheshin ekipet e snajperëve janë më të pjerrëta se çatia e ndërtesës “Agr”, zbuloi një analizë e Washington Post e pamjeve vizuale nga ngjarja.

Rreziku i një fushëpamjeje të hapur për një sulmues të mundshëm ka qenë një shqetësim sigurie që Shërbimi Sekret ka kërkuar të trajtojë në planifikimin e takimeve publike të presidentëve që kur John F. Kennedy u vra nga një qitës i pozicionuar në një ndërtesë të lartë në Dallas në vitin 1963.

Agjentët aktualë dhe ish-agjentët e Shërbimit Sekret janë shprehur të tronditur që një person i armatosur ishte në gjendje t’i afrohej kaq shumë Trumpit, në një incident që konsiderohet dështimi më serioz i sigurisë së Shërbimit Sekret që nga tentativa për vrasjen e Presidentit Ronald Reagan në vitin 1981.

Analiza e videos së Washington Post tregon një oficer policie me uniformë të zezë që shikon drejt çatisë së ndërtesës “Agr.”

Crooks filloi të qëllonte dy minuta e dy sekonda pas pikës së fillimit të videos së sapopublikuar, e cila fillon me zërin e një burri që thotë se njerëzit po tregonin me gisht drejt çatisë ku kishin pikasur një person të dyshimtë me armë.

Të shtënat filluan 86 sekonda pas përpjekjeve të para të zëshme për të lajmëruar policinë, sipas analizës, e cila sinkronizoi disa video bazuar në tingullin e zërit të Trumpit që po fliste në tubimin e tij në kontenë Butler.

Washington Post raportoi të dielën se Shërbimi Sekret u mbështet te policia lokale e qarqeve Beaver dhe Butler për të forcuar ekipet e saj të specializuara taktike.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani