Senatori amerikan Bob Menendez u dënua të martën për të 16 akuzat penale me të cilat u përball, përfshirë atë të ryshfetit në gjyqin e tij për korrupsion, duke përfunduar rënien dramatike të demokratit dikur të fuqishëm të Nju Xhersit.
Juria në gjykatën federale të Manhatanit diskutoi për më shumë se 12 orë në tre ditë përpara se të arrinte një vendim në gjyqin që ka zgjatur nëntë javë. Menendez, 70 vjeç, u deklarua i pafajshëm për akuzat, të cilat përfshinin gjithashtu veprimin si agjent i huaj dhe pengimin e drejtësisë.
Gjyqtarja Sidney Stein vendosi dënimin e Menendez për në 29 tetor, një javë përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, në të cilat ai po kandidon si i pavarur në një përpjekje për një mandat të gjashtë në Senat, por kjo konsiderohet si diçka tejet e vështirë.
Gjyqi u përqendrua në atë që prokurorët federalë i quajtën skema të mbivendosjes së ryshfetit, në të cilat senatori dhe gruaja e tij Nadine Menendez pranuan qindra mijëra dollarë në para, lingota ari dhe pagesa në makina dhe hipoteka nga tre biznesmenë që donin ndihmën e tij.
Në këmbim të ryshfeteve, Menendez ndihmoi në drejtimin e miliarda dollarëve ndihmë amerikane për Egjiptin, ku një nga biznesmenët, Ëael Hana, kishte lidhje me zyrtarë qeveritarë, sipas prokurorëve. Menendez u akuzua gjithashtu se kërkon të ndikojë në hetimet kriminale që përfshijnë dy biznesmenë të tjerë, Fred Daibes dhe Jose Uribe.
Hana dhe Daibes ishin bashkë të pandehur në gjyqin e senatorit dhe u dënuan gjithashtu për secilën nga akuzat me të cilat u përballën. Uribe u deklarua fajtor dhe dëshmoi si dëshmitar I penduar I prokurorisë kundër Menendez.
Menendez ishte përballur më parë me akuza për korrupsion, por ai rast përfundoi në një gjyq të vitit 2017 në Neë Jersey për një grup më të ngushtë akuzash.
Menendez dha dorëheqjen si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-ve pasi u akuzua shtatorin e kaluar, por ka hedhur poshtë thirrjet e kolegëve demokratë për të dhënë dorëheqjen.
Gjatë gjyqit, juristët iu dorëzuan disa nga lingotate arit që agjentët federalë sekuestruan nga shtëpia në Nju Xhersi e senatorit. Agjentët gjetën gjithashtu më shumë se 480,000 dollarë para, duke përfshirë disa të mbushura në zarfe brenda një xhakete që mbante emrin e senatorit.
Avokatët mbrojtës argumentuan se mbrojtja e Menendez ndaj biznesmenëve në shtetin e tij ishte veprimtari e zakonshme për një senator dhe kërkuan të fajësonin gruan e tij, të cilën prokurorët e përshkruan si ndërmjetëse për ryshfet. Avokatët mbrojtës vunë re se shufrat e arit u gjetën në dollapin e saj. Ata pretenduan se të dy jetonin kryesisht jetë të ndara dhe se ajo nuk i kishte treguar të shoqit për financat e saj.
Mbrojtja tha gjithashtu se senatori për dekada të tëra rregullisht tërhiqte para nga bankat dhe i ruante në shtëpinë e tij. Motra e tij më e madhe dëshmoi se ai e mori këtë zakon nga prindërit e tyre, të cilët u larguan nga Kuba me para të cilat babai i tyre kishte ruajtura në një vend të fshehtë.
Nadine Menendez do gjykohet veçmas në një datë të mëvonshme. Ajo nuk ka marrë pjesë në gjyqin e bashkëshortit të saj pasi u diagnostikua me kancer në gji.