Vendosni fjalën kyçe....

Spanja fitoi Evropianin, shkarkohet Presidenti i Federatës së Futbollit


Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (TAD) ka vendosur të pezullojë Pedro Rocha, presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), për një periudhë 2-vjeçare. Ky vendim është marrë për shkarkimin e padrejtë të sekretarit të përgjithshëm Andreu Camps. Fillimisht ishte kërkuar një pezullim prej 6 vitesh, por gjykata vendosi për një periudhë më të shkurtër dhe një gjobë financiare prej 33 mijë eurosh.

Ky zhvillim vjen vetëm dy ditë pas fitores së kombëtares spanjolle të meshkujve në Kampionatin Evropian 2024. Gjatë periudhës së pezullimit të Rocha, detyrat e presidentit do t’i marr përsipër zëvendëspresidentja e parë, María de los Ángeles García Chaves ‘Yaye’, deri në mbajtjen e zgjedhjeve për një president të ri.

Pedro Rocha mori detyrën e presidentit të përkohshëm pas dorëheqjes së ish-kreut të Federatës, Luis Rubiales, i cili dha dorëheqjen në shtator pas një incidenti ku ai puthi pa pëlqim lojtarën Jenni Hermoso pas fitores së Spanjës kundër Anglisë në finalen e Kupës së Botës për femra në gusht. Rocha, si president i komitetit të menaxhimit të RFEF, kishte si detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve për një president të ri, por ai mori disa vendime jashtë kompetencave të tij, përfshirë shkarkimin e anëtarëve të lartë të RFEF, si Andreu Camps.