Plani i ri Urbanistik parashikon hapjen e dy varrezave të reja në Farkë dhe Kashar, për të përballuar ezaurimin e varrezave ekzistuese në Tufinë dhe Sharrë.
Kryetari i Bashkisë deklaroi se është e rëndësishme të sigurohen hapësira dinjitoze për ata që kanë kontribuar në komunitet.
Veliaj tha se varrezat e reja do të jenë të konceptuara në mënyrë moderne, sipas modeleve perëndimore, duke përfshirë distanca të përshtatshme, stola, hapësira për vendosjen e luleve dhe pemë, si dhe vende për ceremonitë fetare të krishterë dhe myslimane.
“Me Planin e ri Urbanistik ne kemi vënë re se varrezat në Tufinës dhe Sharrës janë të ezauruara. Nuk është dinjitoze që, njerëzit që kanë dhënë jetën për qytetin dhe kanë kontribuar në komunitetin tonë, do duhet të përcillen në hapësira që sot po tejmbushen sepse nuk janë konceptuar, që në fillim, me dinjitetin e dikujt që shkon për të kujtuar të afërmin e tij.
Prandaj, kemi planifikuar që, edhe në zonën e Farkës, edhe në Kashar, të hapim dy varreza të reja.
Do t’i konceptojmë sipas vendeve të prehjes që kemi parë në perëndim, me distancë, me stola, vend për vendosjen e luleve, me pemë, por edhe vend për të kryer ceremonitë fetare të krishterë apo myslimane”, sqaroi Veliaj.