Detaje të reja janë bërë të njohura nga ngjarja e rëndë në Shkodër, ku një 27-vjeçare tentoi të vetëmbytet bashkë më katër fëmijët e saj të mitur, 7, 5, 3 dhe 1 vjeç, në lumin Bunë.
E reja, e cila është divorcuar prej disa kohësh nga bashkëshorti i saj, kishte shkuar të jetonte tek prindërit e saj. Sipas burimeve nga News24, gjendja e saj psikologjike ishte rënduar ndjeshëm kohët e fundit, dhe kjo ishte vënë re edhe nga familjarët e saj.
Pak minuta para se të ndërmerrte aktin e vetëmbytjes, 27-vjeçarja komunikoi me një nga familjarët e saj. Ky familjar alarmoi menjëherë policinë, e cila reagoi shpejt dhe mbërriti në vendin e ngjarjes në kohë rekord.
Policia gjeti të renë dhe fëmijët e saj në një gjendje të rënduar psikologjike dhe arriti t’i shpëtojë. Gruaja u mor dhe u shoqërua në komisariat nga patrulla, e cila parandaloi tragjedinë e mundshme.
Njoftimi i policisë
Ndërhyrja e Policisë parandaloi një ngjarje të rëndë.
Tentoi të hidhej në lumin Buna, bashkë me 4 fëmijët e saj të mitur, falë ndërhyrjes së shpejtë nga patrulla e përgjithshme që patrullonte në zonë, pengohet 27-vjeçarja.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rreth orës 14:15, se një shtetase po tentonte të hidhej në lumin Buna, bashkë me 4 fëmijët e saj, shërbimet e Policisë që patrullonin në zonë, kanë ndërhyrë duke penguar 27-vjeçaren, e cila po tentonte të hidhej në lumë, bashkë me 4 fëmijët e saj 7, 5, 3 dhe 1 vjeç.
27-vjeçarja dhe fëmijët e saj u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.