Vendosni fjalën kyçe....

Debate te Siguria, Noka: Nuk mund të kërcënoni deputetët e opzitës me heqjen e lirisë së fjalës


Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka gjatë seancës dëgjimore të Shërbimit Informativ Shtetëror për vitin 2023, në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, kritikoi kryetarin e Komisionit se po pengon opozitën të drejtojë pyetjet duke i kërcënuar se do të vijojë pa transparencë, por me dyer të mbyllura.

Noka e cilësoi një gabim të rëndë politik pengimin e opozitës për të drejtuar pyetje.

 “Çfarë përfaqëson zonja, Shërbimin Informativ të Shtetit apo institucionin e thashethemeve siç e ka cilësuar kryeministri. Kjo është një pyetje korrekte dhe zonja duhet të përgjigjet. Z. Kryetar. Ju bëtë një gabim shumë të madh dhe shumë të rëndë politik. Ju na kërcënuat se nëse nuk do të bëjmë pyetjet që kërkoni ju, ju do ta mbyllni Komisionin për mediat.

Pra, ju kërcënoni deputetët se në rast se nuk bëhet pyetje që do ‘Lartmadhëria e tij – Sulltan Surreli’, do të ndërpritet e drejta e fjalës së lirë të deputetëve. Kjo që sapo thatë është një krim i rëndë dhe nëse e përsërit do e ndjekim këtë çështje. Nuk mund të kërcënosh kurrë deputetët e opozitës dhe nuk mund t’u kërkosh kurrë t’u ndërpresësh të drejtën dhe lirinë e fjalës deputetëve’, tha Noka në Komisionin e Sigurisë.

Ai theksoi se kupola e Policisë së Shtetit është e zhytur në krim, drogë dhe korrupsion.

“Sot policia e shtetit ka një narko-kupolë dhe i ka dhënë damkë policisë si narko-polici”, tha Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka.