Vendosni fjalën kyçe....

Dikur e krahasoi Trumpin me Hitlerin, si arriti Vance të nominohej për zëvendëspresident


Tetë vjet më parë, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, J.D. Vance ishte një kritik i ashpër i Donald Trumpit.

Publikisht, ai e quajti kandidatin republikan presidencial një “idiot” dhe tha se ishte “i qortueshëm”. Privatisht, ai e krahasoi atë me Adolf Hitlerin.

Por në kohën që ish-presidenti e zgjodhi Vance si kandidatin e tij për zëvendëspresident të hënën, senatori e Ohios ishte bërë një nga mbrojtësit më të zjarrtë të Trumpit, duke qëndruar në krah të tij edhe kur republikanë të tjerë të profilit të lartë kundërshtuan ta bënin këtë.

Shndërrimi i James David Vance, nga i vetëpërshkruar si “kurrë njëmbështetës i Trumpit” në besnik të forte të tij – e bën atë një figurë relativisht të pazakontë në rrethin e brendshëm të kandidatit republikan.

Demokratët dhe madje disa republikanë kanë vënë në pikëpyetje nëse Vance, i cili shkroi një libër me kujtime “bestseller” të titulluar “Hillbilly Elegy” dhe tani është një senator nga Ohio, është shtyrë më shumë nga oportunizmi sesa nga ideologjia.

Por Trump, i cili i mbijetoi një atentati në tubimin e fushatës në Pensilvani të shtunën dhe shumë nga këshilltarët e tij e shohin shndërrimin e tij si të vërtetë.

Ata theksojnë se bindjet politike të Vance – të cilat përziejnë izolacionizmin me populizmin ekonomik – përputhen me ato të Trumpit dhe i vendosin dy burrat përballë gardës së vjetër të Partisë Republikane, ku skifterët e politikës së jashtme dhe ungjilltarët e tregut të lirë ende kanë ndikim.

Senatori republikan John Barrasso nga Wyoming, të cilin Vance e ka përshkruar si mentor, i tha Reuters se Vance i ndryshoi pikëpamjet e tij për Trumpin sepse “ai pa sukseset që Trump si president i solli vendit”.

Në veçanti, kundërshtimi i zëshëm i Vance ndaj ndihmës së SHBA-ve për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë ka kënaqur aleatët më konservatorë të Trumpit, edhe pse ka mërzitur disa kolegë të Senatit.

“Ai e kupton se për çfarë po planifikon Trumpi dhe, ndryshe nga pjesa tjetër e Partisë Republikane në Uashington, pajtohet me të”, tha për Reuters komentatori konservator Tucker Carlson, një mbështetës i zëshëm i Vance.

Vance, 39 vjeç, lindi në një shtëpi të varfër në Ohion jugore. Zgjedhja e tij mund të ndihmojë në rritjen e mbështetjes për Trumpin në shtet e njohura si *“Rust Belt” në një garë që do përcaktohet nga votuesit në një pjesë të vogël të shteteve të fushëbetejës, duke përfshirë Pensilvaninë dhe Miçiganin aty pranë, megjithëse pikëpamjet e tij konservatore mund të jenë një pengesë për votuesit e moderuar.

Pasi shërbeu në Trupat e Marinës duke ndjekur më pas Fakultetin Juridik në Universitetin e Yale e duke punuar si sipërmarrës në San Francisko, Vance fitoi rëndësi kombëtare falë librit të tij të vitit 2016 “Hillbilly Elegy”. Në ato kujtime, ai eksploroi problemet socio-ekonomike me të cilat përballej vendlindja e tij dhe u përpoq t’u shpjegonte lexuesve popullaritetin e Trumpit midis amerikanëve të bardhë të varfër.

Ai kritikoi ashpër Trumpin, publikisht dhe privatisht, në vitin 2016 dhe gjatë qeverisjes së tij në vitete 2017-2021.

“Unë luhatem mes mendimeve se Trump është një budalla cinik si Nixon, i cili nuk do ishte aq i keq (dhe madje mund të jetë i dobishëm) ose se ai është Hitleri i Amerikës,” i shkroi ai privatisht një bashkëpunëtori në Facebook në 2016.

Kur komenti i tij për Hitlerin u raportua për herë të parë, në vitin 2022, një zëdhënës nuk e kundërshtoi atë, por tha se ai nuk përfaqësonte më pikëpamjet e Vance.

Në kohën kur Vance kandidoi për Senatin në vitin 2022, shfaqjet e tij të besnikërisë – që përfshinin nënvlerësimin e sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-ve nga mbështetësit e Trump – ishin të mjaftueshme për të fituar miratimin e lakmuar të ish-presidentit. Mbështetja e Trumpit ndihmoi që ai të kalojë në krye në një garë primare.

Në intervistat për media, Vance ka thënë se nuk ka pasur asnjë çast “eureka” që ka ndryshuar pikëpamjet e tij për Trumpin. Përkundrazi, ai dalëngadalë e kuptoi se kundërshtimi i tij ndaj ish-presidentit ishte i rrënjosur në stili e tij dhe jo në thelb.

Për shembull, ai u pajtua me pretendimet e Trumpit se tregtia e lirë kishte zbrazur klasën e mesme të Amerikës duke shtypur prodhimin vendas dhe se krerët e vendit nxitonin për t’u përfshirë në luftëra të huaja.

“E lejova veten të përqendrohesha aq shumë në elementin stilistik të Trumpit, saqë e anashkalova plotësisht mënyrën në të cilën ai në thelb po ofronte diçka shumë të ndryshme për politikën e jashtme, mbi tregtinë, mbi emigracionin”, tha Vance për New York Times në qershor.

Në të njëjtën intervistë, Vance tha se ai u takua me Trump në vitin 2021 dhe se të dy u afruan më shumë gjatë fushatës së tij në Senat.

Vance nuk pranoi të intervistohej nga Reuters për këtë shkrim dhe zëdhënësi i tij nuk pranoi të komentonte për të.

Kundërshtarët e senatorit të Ohios e shohin ndryshimin e pikëpamjeve të tij si një dredhi cinike për t’u ngjitur në radhët e politikës republikane.

“Ajo që shihni është një oportunizëm vërtet i thellë,” tha Niven, një Profesor i politikës.

Një çështje ku pozicioni i tij duket se ka konverguar me Trump është aborti.

Vance nënkuptoi në një intervistë të vitit 2021 se viktimave të përdhunimit dhe incestit duhet t’u kërkohet të mbajnë shtatzëninë deri në fund dhe në nëntor ai përshkroi një votim në Ohio për të shtuar të drejtën për kujdesin e abortit në Kushtetutën e shtetit si një “grusht nën brez”.

Këtë vit, ai tha se mbështet qasjen në pilulën e abortit “mifepristone”, një pikëpamje që ndan edhe Trump.

MARRËDHËNIET ME TRUMP

Përpara se Vance të krijonte një marrëdhënie me ish-presidentin, ai u afrua me djalin e madh të Trump, Donald Trump Jr, sipas disa njerëzve të njohur me marrëdhënien e tyre.

Vance i ra fillimisht në sy Trump Jr kur ai kundërshtoi ndihmën për Ukrainën gjatë zgjedhjeve paraprake të Senatit të Ohios në vitin në 2022, sipas një prej personave me njohuri për çështjen, një pozicion që e vendosi atë në kundërshtim me republikanët e tjerë në garë.

Marrëdhënia personale e Vance me Trump u zhvillua në pjesën më të madhe gjatë zgjedhjeve presidenciale republikane në fillim të këtij viti, tha ai person. Vendimi i Vance për të miratuar Trumpin në janar 2023, shumë përpara disa kandidatëve të tjerë për zv.presidentë, shërbeu si një shfaqje e rëndësishme e besnikërisë, shtoi personi në fjalë.

Në shkurt 2023, Trump dhe Vance vizituan Palestinën Lindore, Ohio, vendi i daljes nga shinat i një treni të ngarkuar me lëndë helmuese, një udhëtim që ngriti profilin kombëtar të Vance. Ata e portretizuan vendimin e presidentit demokrat Joe Biden në atë kohë për të mos vizituar komunitetin e klasës punëtore si një tradhti të klasës së mesme të Amerikës.

Shtëpia e Bardhë vuri në dukje në atë kohë se agjentët federalë ishin në vendngjarje pothuajse menjëherë pas daljes nga shinat dhe se vizita e vendit ku ndodhi fatkeqësia mund të shkëpusë vëmendjen nga përpjekjet lokale të rimëkëmbjes. Biden përfundimisht vizitoi Palestinën Lindore afërsisht një vit më vonë, në shkurt 2024.

Në prapaskenë, Vance ka ndihmuar të bindë donatorët e pasur që t’ë zgjidhin qesen në mbështetje të Trumpit, sipas dy personave me njohuri për operacionet e mbledhjes së fondeve. Vance, për shembull, ndihmoi në krijimin e një mbledhjeje fondesh në Bay Area në qershor të organizuar nga sipërmarrësit David Sacks dhe Chamath Palihapitiya.

Në gjurmët e fushatës, disa nga aleatët e profilit më të lartë të Trumpit – duke përfshirë Donald Trump Jr, Tucker Carlson dhe Steve Bannon – janë kënaqur nga qëndrimi i prerë i Vance për ngjarjet në Capitol Hill. Të gjithë ata kanë legjione ndjekësish konservatorë dhe miratimi i tyre mund të ndihmojë që republikanët të dynden në kutitë e votimit.

Skepticizmi i Vance për Amerikën e korporatave, mbështetja për tarifat ndaj kompanive të huaja, lodhja nga përfshirja e SHBA-së në çështje të shumta globale dhe rinia e tij e bëjnë atë një zë udhëheqës të një Partie të re Republikane që është më shumë e përqendruar te klasa punëtore sesa te biznesi i madh në sytë e mbështetësve.

“Unë mendoj se për sa i përket asaj që mund t’i shtojë fushatës Trump emri i Vance, është se ai mund të afrojë klasën punëtore të familjeve amerikane,” tha senatori Barrasso.

Vance është kritikuar për kopjimin e Trumpit.

“Vance është një jehonë për Trump,” tha Niven, “jo një zë i ri.”

*Rust Belt është një rajon i shteteve verilindore dhe qendrore të Shteteve të Bashkuara dhe pjesëve më veriore të Shteteve të Bashkuara Jugore. Ai përfshin Nju Jorkun Perëndimor, Pensilvaninë, Ohion, Virxhinian Perëndimore, Indianan, Illinoisin, Gadishullin e Poshtëm të Miçiganit, Wisconsin juglindor dhe pjesë të vogla të Kentakit, Nju Xhersit dhe zonën metropolitane të St. Louis në Misuri.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani