Vendosni fjalën kyçe....

Gërdeci/ Shtyhet seanca në GJKKO, mungoi ish-ministri Mediu dhe një nga ekspertët


Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën për masakrën e Gërdecit, ndërsa kësaj radhe shkak për shtyrën është bërë mungesa e një prej ekspertëve.

Burime bëjnë me dije se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk është paraqitur në seancë, ndërsa mungon edhe avokati i tij mbrojtës Ardian Visha. I pranishëm është vetëm avokati Henrik Ligori.

Prokurori Klodian Braho kërkoi që të vazhdojë seanca në mungesë të Mediut, kërkësa u pranua nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila vendosi që ish-ministri të mbrohet vetëm nga avokati Ligori.

Gjykata relaton që në sekretarinë e gjykatës janë paraqitur pyetjet me shkrim për ekspertët. Në total 113 pyetje janë paraqitur nga mbrojtja e Mediut, ndërkohë në seancë nuk është paraqitur një nga ekspertët. Eksperti Ymer Stafa ka njoftuar  gjykatën se mungon për arsye shëndetësore.

Prokurori Klodian Braho dhe avokati Ligori kanë kërkuar praninë e ekspertit që mungon.

Prokurori Klodian Braho: Nuk ka raport mjekësor për ekspertin që mungon dhe gjendja e tij shëndetësore nuk e pengon që të jetë në seancë. Eksperti të thirret në gjykatë dhe të jap mendimin e tij. Ekspertët të marrin edhe pyetjet e reja dhe të formulojnë një dokument të vetëm. Të kemi edhe ne një kopje të pyetjeve që të jemi të përgatitur në seancë. Ekspertët të marrin kohën e nevojshme.

Henrik Ligori: Është e domosdoshme prania e ekspertit të 5, duhet të gjithë për tu përgjigjur. Të marrin kohën e nevojshme që të realizohet përgjigjja e të gjithëve.

Kujtojmë që seanca e 10 korrikut u ndërpre pas debateve në sallë për natyrën e pyetjeve nga avokati i Fatmir Mediut. Ardian Visha debatoi me gjyqtaren Irena Gjoka për presion ndaj ekspertëve dhe gjyqtarja urdhëroi nxjerrjen e tij jashtë sallës. 

Çfarë ndodhi në 15 mars?

15 mars 2008, mesditë ora 12:05 një shpërthim i fuqishëm tronditi Tiranën, ndërsa krateri i tij u shënua pak kilometra më tutje në fshatin Gërdec në Vorë. 

Teksa minutat kalonin ajo çka kishte ndodhur ishte e paimagjinueshme, 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me 100 shtëpi të rrafshuara. 

Këto ishin pasojat e shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve shtetërore në pronësi të biznesmenit Mihal Delijorgji. 

Sot 15 vite më pas, ai shpërthim është ende i freskët në memorien e të gjithë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot për 26 të vdekur e 300 të plagosur nuk ka asnjë person pas hekurave. 

Pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.