Vendosni fjalën kyçe....

Drejtoresha e SHISH raporton te ‘Siguria’: Shërbimet serbe e ruse, qëndrime armiqësore ndaj nesh


Drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, ka raportuar sot në komisionin e Sigurisë.

Ajo u shpreh se ka pasur akuza të pabaza kundrejt SHISH, ndërsa ka shtuar se nuk ka takime të dyshimta të drejtorit të Shërbimit.

Hyseni u shpreh se është rritur bashkëpunimi me Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Kreu i SHISH ka folur edhe në lidhje me aktivitetet e shërbimeve ruse dhe serbe, të cilat ipas saj kanë qëndrim armiqësor ndaj vendit tonë.

Kemi rritur bashkëpunim dhe mbështetjen informative për agjencitë ligjzbatuese referuar kompetencës së tyre lëndore, si më SPAK, BKH, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucione të tjera. Referuar bashkëpunimit dhe informacionit të SHISH janë realizuar kundërvënie konkrete ndaj veprimtarive të jashtëligjshme si brenda dhe jashtë vendit.

Kryesisht jemi fokusuar në operacione që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, antiterrorin, spiunazhin, ku përfshihet kundërvënia ndaj aktiviteteve të shërbimeve të inteligjencës ruse, serbe dhe shteteve të tjera, me qëllime armiqësore në raport me Shqipërinë”, tha Hyseni në mbledhje.

Ndërkohë ka pasur “përplasje” mes saj dhe deputetëve të opozitës.

“Jeni këtu bazuar në përcaktimin që ju jep Kushtetuta si krye e SHISH apo në bazë të përcaktimit që ju ka bërë kryeministri më 5 shtator 2023 duke ju quajtur si kryedispeçer e Shërbimit Shtetëror të Thashethemeve”, u shpreh deputeti i PD Ferdinant Xhaferri.

Kujtojmë se takimi po mbahet me dyer të mbyllura, për shkak se Hyseni e kërkoi një gjë të tillë në lidhje me natyrën e informacioneve që do të diskutohen.