Vendosni fjalën kyçe....

“Më sulmoi e denigroi publikisht pse nuk i shkova në gjyqin televiziv” – Biznesmeni i përgjigjet Eni Çobanit


Një biznesmen në zonën e Bulqizës i quajtur Julan Hupi ka bërë një reagim publik ndaj Eni Çobanit, e njohur më shumë si zonja Eni që drejton një emision të titulluar “Shihemi në gjyq” në TV Klan.

Në reagimin e tij në Facebook ai rrëfen versionin e tij të ngjarjes dhe sulmin që i është bërë mediatikisht në emisionin e lartpërmendur.

Sipas tij, i gjithë sulmi dhe denigrimi i personit dhe biznesit të ngritur me shumë vuajtje e djersë ka ardhur pas refuzimit të tij për të pranuar ftesën e emisionit për të shkuar në “gjyqet” që zhvillohen në emisionin e Çobanit , të cilat i etiketon si show.

Hupi tregon se në emisionin “Shihemi në gjyq” i është bërë gjyq në mungesë me akuzat se ka shkelur Ligjin Tregtar dhe Kodion Penal.

Hupi tregon “mosmarrëveshjen” me kushëririn me të cilin ndan të njëjtin mbiemër duke pohuar se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se është i gatshëm të paraqitet në çdo gjyq në intitucionet e drejtësisë ndërsa denoncon Eni Çobanin se po përdor hapësirën televizive si një frëngji për të sulmuar, shpifur e denigruar njerëz të thjeshtë që punojnë me djersën e ballit.

Ai thekson gjithashtu se nuk ka shkelur asnjë ligj të shtetit lidhur me pretendimet e kushëririt të tij dhe se është i gatshëm ta mbrojë të drejtën e tij në gjykatë.

Më poshtë reagimi i plotë i biznesmenit Julian Hupi

Një sqarim për sulmet e Eni Çobanit, të cilës nuk i shkova në gjyqin televiziv!
Të dashur miq, ju që më njihni e s’më njihni, ju që e keni vizituar bujtinën në kullën tonë ose jo. Dua të ndaj me ju sot një shqetësim.

U shokova kur dëgjova një sulm që kishte bërë ndaj biznesit tim familjar Eni Çobani, që bën një program në Televizionin Klan ditën e diel. Më kishte bërë një gjyq në mungesë. S’kishte lënë akuzë pa bërë, deri sa në fund më akuzonte se kam shkelur Ligjin Tregtar dhe Kodin Penal.

Shumë shkurt:

Një bashkëfshatar dhe kushuri i largët, më kishte paditur mua në gjyqin e Enit, se përse unë e quaj biznesin tim në promovimin publik “Kulla Hupi”. Arsyeja është sepse edhe familja e tij trashëgon një ndërtesë të vjetër, Kullën e Sulejman(Sul) Hupit, e cila është Monument Kulture, që prej vitit 1979. Në regjistrin e monumenteve të Kulturës qarku Dibër është regjistruar si: “BANESA E SUL HUPIT NË FSHATIN DUSHË”

Edhe unë kam të trashëguar nga të parët e mi një ndërtesë të vjetër, të paktën 200 vjeçare, një kullë guri. Pas shumë vitesh punë në emigracion, u ktheva në fshatin tim në Lepurak-Dushaj, Bulqizë dhe pjesën që më takon të kullës time e shndërrova në një bujtinë. Këtu fillon “lufta”.

Bashkëfshatari im shkon tek gjyqi i Enit dhe Eni me fton të dilnim “ta sqarojmë këtë punë” në studio, ditën e dielë në TV Klan. E takova me mirësjellje dhe i thashë se nuk dua të bëhem pjesë e këtyre gjërave, nëse ka probleme, ka gjykata që i zgjidhin këto punë. Ajo më kërkoi sërish që unë të merrja pjesë ne gjyqin e saj, duke me thënë se “Gentiani- bashkëfshatari im- do të vazhdojë dhe ftesa për ty është sërish e hapur”. Unë e mbylla komunikim duke thënë se Gentianit i uroj punë të mbarë, ta restaurojë objektin që trashëgon, ta bëjë edhe më të mirë se timin dhe ta gëzojë. Unë thjeshtë i thashë, nëse më sulmoni biznesin, do ju padis.

Dhe këtë zonja që e quan kërcënim. Sepse ju atje në televizon mund të thoni ç’të doni, ndërsa kur ne që punojmë nga 18 orë në ditë, kur tentojmë të mbrohemi, quhet kërcënim. Meqë unë refuzova gjyqin televiziv, u gjenda nën një monolog-agresiv të zonjës, duke iu drejtuar kameras në mënyrë të paprecedentë: “Shqiptarë, kjo nuk është Kulla Hupi. Julian Hupi ka shkelur ligjin, ka shkelur Ligjin Tregtar dhe Kodin Penal”.

E tmerrshme! Si është e mundur që nje njeri që ka në dispozicion një hapësirë televizive ta përdorë atë si një frëngji lufte, të sulmojë, shpifë, e denigrojë me shumë pasion dikë që guxoi të refuzojë ftesën e pjesëmarrjes në SHOW e saj mediatik.

Zonjë e nderuar!

Unë quhet Julin Hupi, pra kam mbiemrin HUPI. Kam trashëguar një kullë, një shtëpi guri të vjetër, me çertifikatë pronësie dhe me tri kate, madje dhe një dhomëz që quhet dhoma e luftës, me frëngji ku luftonin burrat kur sulmohej kulla. Edhe katragjyshi, stërgjyshi, gjyshi, im atë dhe unë mbajmë mbiemrin HUPI. Për pasojë kjo vazhdon edhe sot të quhet Kull Hupi. Edhe para se ta bëja bujtinë kullë i thoja, sepse ne malësorët kulla u themi shtëpive.

Ju më akuzoni në televizion se kam shkelur ligjin tregtar. Emri im tregtar është “Julian HUPI P.F”. Nuk ka asnjë subjekt tjetër me këtë emër. Ju më kërkoni llogari mua pse e quaj kullën time “Kulla HUPI”. Po si ta quaj, Kulla Çobani? Apo mos ta quaj kullë fare, ta quaj supermarket? Apo PUB, diskotekë, si mendon ti zonjë? Atë kohë zonjë, çdo shtëpi guri ishte në formën e kullës, sepse ne mbroheshim edhe nga serbët edhe nga njëri-tjetri. Me serbët kemi bërë paqe ndërkohë, por me njëri-tjetrin ende.

Ka nëpër fshat dhjetra kulla, Kulla e Currit, Kulla e Shahut, Kulla e Karajt… etj etj. Nuk ka çertifikatë se cila ndërtesë quhet kullë zonjë. Kulla e bashkëfshatarit e bashkëkushëririt tim është edhe monument kulture dhe ky është ndryshimi. Unë do të isha i kënaqur që edhe ajo ti shërbente turizmit të zonës tonë të varfër.

Unë nuk ia kam marrë këtë status. Bile jam i lumtur që nuk e kam monument kulture, pasi të ndërhysh në një objekt-monument kulture është odise më vete.
Gjithësesi, nëse bashkëfshatari im i drejtohet gjykatës së shtetit, unë do ti përgjigjem ftestës së saj me shumë korrektesë. Unë problemet i zgjidh në gjyqin e shtetit dhe për gjyq njoh vetëm atë. Nëse ti bën SHOW televiziv, unë s’jam preje për këtë lloj produksioni, me vjen keq. Unë dhe familja ime punojmë nga ora 5 mengjesit deri në 12 të natës.

Ndaj dhe bashkë do të përballemi në gjyqin e vërtetë, jo në gjyqin tënd.

Të kesh në dispozicion një hapësirë televizive nuk është favor që ti ta përdorësh për të sulmuar të tjerët, pavarësisht arsyeve. Televizioni është pushtet dhe ai që e zotëron atë pushtet duhet të tregojë pergjegjshmëri në mënyrën se si e përdor.

Në fund:

Ju e dini atë historinë me dy fshatarët që po kthehesin në shtëpi pa asnjë kacidhe në xhep, kur gjetën shishen me Xhindin brenda.

-Më nxirrni prej këtu, e do ju plotësoj çdo dëshirë që të kenti- u tha ai.

I pari kërkoi një lopë.

-Po ti – iu drejtua të dytit – çfarë dëshire ke?

-Merrja lopët këtij që ia dhe.

Bashkëshatarin tim mund ta mirëputoj në këtë këndvështrim, po ti çfarë ke me lopën time, që e kam blerë me para djerse e gjaku dhe tani që kam filluar ta mjel, më godet me gurë nga frëngjia jote televizive.

Të dashur miq!

Unë nuk kam fuqinë e një televizioni. Unë bëj një biznes familjar. Por kërkoj ndihmën tuaj ta shpërndani këtë reagim, për ti thënë të gjithë atyre që e kanë frekuentuar bujtinën tonë, Kullën Tonë, apo atyre që thjeshtë kanë dëgjuar sulmet e bëra ndaj meje, se jam një njeri që të vetmet të drejta që kam shkelur në këtë botë janë ato të familjes time, që nuk njohin as të shtunë, as të dielë..!

Dhe te gjitha kercenimet qe vijne nga rrejtet sociale do ti publikojme ne vazhdim!”