Opozita do të zhvillojë protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës, duke vazhduar tubimet që kanë nisur prej më shumë se 3 muajsh. Këto tubime kërkojnë dorëheqjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj, të cilin opozita e akuzon për skandalin ‘5D’. Po ashtu, opozita i ka kërkuar SPAK që të marrë nën hetim Kryetarin e Bashkisë.
Protestat e deritanishme kanë prodhuar tensione, me protestuesit që djegin goma, hedhin flakadanë drejt bashkisë, ose qëllojnë godinën me vezë dhe mollë. Për të përballuar situatën, Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave dhe ka njoftuar akset rrugore që do të bllokohen gjatë protestës.
“Në kuadër të një tubimi që do të zhvillohet ditën e nesërme, në orën 11:00, përpara Bashkisë Tiranë, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.
Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga nesër, prej orës 09:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.