Deputeti demokrat Agron Shehaj po zhvillon një interpelancë me ministren e bujqësisë, Anila Denaj për fondet e IPARD, të cilat janë bllokuar.
Shehaj tha se 33 mln euro që duhej të shkonin për fermerët shqiptarë shkuan në xhepat e pushtetarëve.
“Kam kërkuar këtë interpelancë se kjo ministri kishte për detyrë të shpërndante rreth 200 mln euro ndihma falas pjesë të programit IPARD të BE. Janë 200 mln euro që BE kishte vendosur t’ia falte fermerëve shqiptarë. 200 mln euro nga taksa paguesit europian te fermerët shqiptarë, për të ndërtuar një serë, të ndërtonin një bujtinë, të rrisnin bizneset e tyre në Shqipëri. Pothuajse 5 vite nga nisja e procesit të ndarjes së fondeve, BE zbuloi se nga 70 mln euro që ishin ndare, 33 mln euro janë vjedhur nga mazhoranca. Paratë në vend se të shkonin te fermerët shkuan te xhepat e pushtetarëve,. Qeveria vodhi paratë që duhej të shkonin te fermerët. Në dijeni kanë qenë Delina Ibrahimaj, Frida Krifca dhe Ilir Beqaj, koordinatori i IPARD, sot në burg për korrupsion.
Kaloi një vit nga paralajmërimi dhe zbulimi i skandalit dhe para pak muajsh BE njoftoi bllokimin e programit. BE i ka kërkuar qeverisë që të marrë masa, të hetojë mekanizmat e vjedhjes dhe të identifikojnë dhe ndëshkojnë vjedhësit e fondeve. Sipas Olaf janë vjedhur 33 mln euro, ju e keni marrë arportin ku janë gjetjet dhe abuzimet e vjedhjeve”, tha Shehaj.