Vendosni fjalën kyçe....

FIFA heton videon e lojtarëve argjentinas për racizëm, polemizon zv.presidentja argjentinase


FIFA po heton një video që qarkullon në mediat sociale që tregon lojtarët e ekipit kombëtar të Argjentinës duke kënduar për lojtarët e Francës në një mënyrë që Federata Franceze e Futbollit (FFF) tha se ishte “raciste dhe diskriminuese”.

Federata Franceez e Futbollit tha të hënën se do paraqesë një ankesë në FIFA për videon, në të cilën lojtarët e Argjentinës këndojnë për origjinën afrikane të sulmuesit francez Kylian Mbappe.

Videoja u postua nga sulmuesi argjentinas Enzo Fernandez në Instagram mes festimeve të skuadrës pas fitores 1-0 ndaj Kolumbisë në fitimin e Kupës së Amerikës.

“FIFA është në dijeni të një videoje që qarkullon në mediat sociale dhe incidenti është duke u shqyrtuar”, tha një zëdhënës i FIFA-s në një deklaratë.

“FIFA dënon fuqishëm çdo formë diskriminimi nga kushdo, përfshirë lojtarët, tifozët dhe zyrtarët”.

Fernandez më vonë kërkoi falje në rrjetet sociale, duke thënë se ai ishte “pushtuar nga euforia e festimeve”.

“Kënga përfshinte një gjuhë shumë fyese dhe nuk ka absolutisht asnjë justifikim për këto fjalë”, ka shkruar ai.

Shoku i skuadrës së Fernandez te Chelsea, Wesley Fofana e përshkroi më herët videon si “racizëm të shfrenuar”.

Megjithatë, zv.presidentja e Argjentinës Victoria Villarruel mbrojti Fernandez dhe ekipin, duke thënë se ajo nuk do toleronte veprimet e një vendi “kolonialist”.

“Asnjë vend kolonialist nuk do të na frikësojë për një këngë ose për të thënë të vërtetat që ata nuk duan të pranojnë,” postoi Villarruel në llogarinë e saj në X.

“Argjentina është një vend sovran dhe i lirë. Ne kurrë nuk kemi pasur koloni apo qytetarë të dorës së dytë. Nuk ia kemi imponuar askujt mënyrën tonë të jetesës. Por as ne nuk do tolerojmë që ata të na imponohen…Enzo të mbështes, Lionel Messi, faleminderit për gjithçka! Argjentinasit e mbajnë gjithmonë kokën lart”.

Chelsea tha në një deklaratë të mërkurën të gjitha format e sjelljes diskriminuese ishin plotësisht të papranueshme.

“Ne jemi krenarë që jemi një klub i larmishëm dhe gjithëpërfshirës, ​​ku njerëzit nga të gjitha kulturat, komunitetet dhe identitetet ndihen të mirëpritur”, tha klubi anglez i Premier League.

Mbappe dhe lojtarë të tjerë me origjinë afrikane në ekipin e Francës u abuzuan në mënyrë racore në mediat sociale pas humbjes nga Argjentina në finalen e Kupës së Botës 2022, duke bërë që një ministër i lartë i kabinetit francez t’i kërkonte FIFA-s të hetonte.