Vendosni fjalën kyçe....

Godet Guvernatori Sejko: Prokurorët e Tiranës nuk e kanë kuptuar dot ligjin për kreditë e këqija


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në një deklaratë në Kuvend për mikrokreditë deklaroi se prokurorët që po hetojnë çështjen e kanë keqkuptuar ligjin.

Për Sejkon kompanitë që shkelën ligjin me mbledhjen e kredive të këqija duhet të dënohen. 

Ndërsa Banka e Shqipërisë sipas tij ka kryer detyrën duke ia hequr licencën kompanive të përfolura dhe të akuzuara se kanë shkelur ligjin. 

“Praktikisht doja të sqaroja se materialin e prokurorisë që ju lexuat unë nuk e kam. Kam një material që pushon çështjen, ky është një proces që ka kaluar në SPAK. Jemi në dispozicion të institucioneve të drejtësisë për ço lloj informacioni. Materiali i prokurorisë ka një keqkuptim të madh për rolin e BSH-së dhe funksionin e saj dhe i ka kthyer në dyshim për akuzë penale. Roli dhe funksioni janë përcaktuar në ligj dhe unë ju garantoj se është respektuar ligji. Të gjitha ata që janë për media copa copa janë të gabuara.

Në vitin 2015 FMN-ja më la detyrë pastrimin e depozitave bankare sepse rrezikohej siguria kombëtare. Licencimi dhe kalimi i kredive nga institucionet bankare është i ligjshëm. Licencimi nuk ishte i paligjshëm. Miratuam portofolin e kredive të këqija për t’i futur klientët në regjistrin e kredive që të mos kontaminonin sistemin”- tha Sejko. 

Sipas tij problemi ka të bëjë me ligjin për kreditë e këqija. 

“Problemet me kreditë e këqija kanë qenë edhe në Serbi, SHBA në gjithë botën. Te ne ka nisur në vitin 2010.

Ka një panik për bankën. Nuk ka lidhje fare me skemat piramidale dhe po zmadhohet procesi. Nëse kanë bërë vjedhje ndaj klientëve dhe i kanë dhunuar duhen dënuar. 80% nuk janë arkëtuar nuk janë gjetur si klientë. Kanë arritur të ndjekin vetëm 10%, të cilët nëse nuk kanë ndjekur ligjin duke shkelur ligjin e përmbarimit duhet të mbajnë përgjegjësi. Në përgjithësi lekët janë akoma te klientët.

Kjo është firmë piramidale në favor të atyre që s’kanë paguar. Kemi hequr licencat për 4 subjekte nën hetim. Kemi bërë një raport ekzaminimi me rekomandime strikte. Kompanisë MCA iu pezullua licenca e më pas iu revokua. Të gjithë klientët kanë kaluar në procese gjyqësore. U rrit numri i ankesave pas heqjes së licencave. Edhe nëse hiqet licenca problemi mbetet aty. Për të ndihmuar qytetarët duhet ndryshuar Kodi Civil. Do të miratojmë një rregullore në shtator për kufizimin e dhënies së kredive për institucionet Jo Banka”, deklaroi Sejko.