Vendosni fjalën kyçe....

Organizoi atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt, pranga në Spanjë Leonard Luzit


47-vjeçari Leonard Luzi, i cili ishe shpallur në kërkim si organizator i atentatit ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt, është arrestuat në Spanjë.

Ai është shpallur në kërkim lidhur me operacionin policor të koduar “Rekrutuesi”.

Luzi akuzohet se një vit më parë organizoi vrasjen e Hajrullës dhe Matodashajt por plani dështoi pas ndërhyrjes së policisë.

Njoftimi

“Policia e Shtetit/Bashkëpunimi i ngushtë me homologët spanjollë, finalizon një tjetër operacion policor ndërkombëtar.

Si rezultat i operacionit të koduar “Rekrutuesi”, arrestohet në Spanjë, një 47-vjeçar që akuzohet nga GjKKO-ja se rreth 1 vit më parë, në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë). Në bazë të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të menjëhershëm të tij, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje, u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutuesi”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në Spanjë, shtetasi L. L., 47 vjeç, i lindur në Vlorë. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 05.02.2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.

47-vjeçari akuzohet se më datë 08.08.2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi u arrestua shtetasi A. N., i cili dyshohet se i paguar prej shtetasit L. L., do të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.

Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e shtetasit L. L., në Shqipëri.”