Prokurorët amerikanë apeluan zyrtarisht të mërkurën vendimin e një gjykatësje federale për të pushuar çështjen penale të ngritur nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith, që akuzonte ish Presidentin Donald Trump për mbajtje të paligjshme të dokumenteve sekrete pas përfundimit të mandatit të tij.
Zyra e prokurorit Smith tha se do t’i kërkonte Gjykatës së 11-të të Apelit në Atlanta që të rikthente çështjen dhe të anulonte vendimin e gjykatëses së qarkut në Florida, Aileen Cannon, e cila e pushoi çështjen të hënën bazuar në shpjegimin se prokurori Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
Gjykatësja Cannon, e cila u emërua nga ish Presidenit Trump në vitin 2020, vendosi se prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili drejton hetimin, ishte emëruar në mënyrë të paligjshme në këtë rol dhe se ai nuk e kishte autoritetin ligjor për të ngritur një padi të tillë. Në vendimin prej 93 faqesh të gjykatëses Cannon thuhet se prokurori i posaçëm duhet të ishte emëruar me miratimin e Kongresit.
Vendimi ishte i fundit në një seri fitoresh ligjore për zotin Trump. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi më 1 korrik se zoti Trump gëzon imunitet të gjerë nga ndjekja penale për veprimet zyrtare të ndërmarra gjatë kohës që ishte president, një vendim që ka lidhur një çështje tjetër penale të ngritur nga prokurori Smith, atë mbi përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Në padinë për dokumentet sekrete, ish-presidenti Trump akuzohej se pati marrë në rrugë të paligjshme dokumente me informacione sekrete të sigurisë kombëtare në pronën e tij në Mar-a-Lago, pasi ishte larguar nga detyra dhe se pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i rimarrë këto materiale.
Dy persona të tjerë, ish-ndihmësi personal i ish-presidentit Trump, Walt Nauta dhe një administrator i Mar-a-Lagos, Carlos De Oliviera, gjithashtu ishin akuzuar për pengim të hetimeve.
Avokatët e ish-presidentit Trump kishin ngritur pikëpyetje rreth ligjshmërisë së vendimit të prokurorit të përgjithshëm Merrick Garland në vitin 2022 për të emëruar prokurorin Smith në krye të hetimeve ndaj ish-presidentit Trump. Avokatët argumentuan se emërimi i prokurorit shkelte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, pasi nuk ishte një post i krijuar nga Kongresi dhe emërimi i tij nuk u konfirmua nga Senati.
Ish Presidenti Trump këtë javë mori emërimin zyrtar të Partisë Republikane si kandidat i saj për president në zgjedhjet e nëntorit. Ai do të përballet me Presidentin demokrat Joe Biden, ndaj të cilit janë shtuar thirrjet nga demokratët për tërheqje nga gara për president për shkak të paraqitjes së tij të dobët në debatin e 27 qershorit./VOA