Kreu i grupit Gazment Bardhi ka ngritur në Kuvend shqetësimin në lidhje me raportin e OLAF mbi abuzimin e institucioneve shqiptare me fondet e BE-së për bujqësinë (IPARD), kërkesa me debat për të cilën u refuzua.
Ai u shpreh se Ministria e Bujqësisë është shpallur “skenë krimi”, ndërsa shtoi se nëse raporti nuk u është vënë ende në dispozicion institucioneve shqiptare, tregon se BE nuk ka besim tek ata.
Bardhi u shpreh se fermerët presin zhbllokimin e fondeve dhe nuk kanë kohë të humbet.
“Nuk e di se çfarë më shumë zyrtare kërkoni ju, ministrja duhet ta ketë marrë raportin zyrtar të OLAF, nëse nuk jua kanë sjellë tregon se BE nuk ka besim tek institucionet zyrtare.
Në raport theksohet se pas hetimeve të rasteve të denoncuara, institucionet shqiptare kanë abuzuar me fondin në vlerën 33 mln euro, fondi konsiderohet i papërshtatshëm dhe kërkohet pezullimi i fondit. Ministria e Bujqësisë është shpallur “Skenë krimi”.
Do presim vite derisa SPAk të zbardhur përgjegjësi që të zhbllokojmë fondet? Kush ka abuzuar do të shkojë në burg, detyra jonë është të bëjmë fondin efektiv një orë e më parë.
Fermerët na pyesin sot ç’po bëni ju që fondet të zhbllokohen. Ne do u themi kemi kohë? Do marrim njëherë pushimet, pastaj në shtator tetor flasim , të shohim çdo të bëjmë për ju. Ata nuk kanë kohë për të humbur”, u shpreh Bardhi.