Vendosni fjalën kyçe....

Sejko prezanton në Kuvend raportin vjetor: Eksportet përgjatë vitit 2023 u rritën me 1.7 mld euro


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke paraqitur raportin vjetor në Kuvend, tha se politika fiskale ruajti një kah konsolidues. Sejko tha se në aspektin makro-ekonomik, rritja ekonomike pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të biznesit privat, inflacionin në rënie, tregun e fortë të punës, si dhe rritjen e shpejtë të të ardhurave nga turizmi.

Duke iu referuar nivelit të inflacionit në 2023, Sejko tha se në fillim të vitit ishte 7.4 %, ndërsa viti u mbyll me 4 %. Në vijim, Guvernatori Sejko u shpreh se aktualisht inflacioni llogaritet mes 2.1-2.3 %.

Rënia e inflacionit, ndihmoi vlerën e ruatjes së të ardhurave, si dhe ndihmoi në ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik të vendit, tha Sejko, duke shtuar se paralelisht në vitin 2023, tha se borxhi i huaj zbriti poshtë nivelit 50 % të PPP.

Sejko gjithashtu evidentoi reduktimin e deficitit të llogarisë korente 0.9 % të PPP, si dhe rritjen e nivelit të rezervave valutore.

Ai tha se eksportet përgjatë vitit 2023 u rritën me 1.7 mld euro.

“Megjithatë, ne jemi përpjekur të ndjekim një politikë monetare sa më fleksibël, duke synuar të mos dëmtojmë trendet pozitive të zhvillimit të vendit, si dhe duke u kujdesur ta harmonizojmë atë me zhvillimet financiare dhe kahun e politikës fiskale. Sa më sipër, dëshiroj të bëj dy konstatime të rëndësishme.

Së pari, ritmi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare u ngadalësua gjatë vitit 2023.
Gjatë këtij viti, ne kryem vetëm dy rritje të normës bazë, me një efekt kumulativ prej 0.5 pikësh përqindjeje.

Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale. Më konkretisht, mbiçmimi i shpejtë i Lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme inflacioniste.

Në veçanti, forcimi i Lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të spikatura ekonomike të kësaj periudhe. Duke pasur një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi, ai kontribuoi në kontrollin e inflacionit, duke rritur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare, si dhe mundësoi një normalizim më gradual të qëndrimit të politikës sonë monetare, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve. Rrjedhimisht, Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të larta të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit, ndër vendet e rajonit.

Së dyti, rritja e normës bazë solli një rritje të përgjithshme të nivelit të normave të interesit në vend, por kushtet e përgjithshme të financimit mbetën stimuluese.

Në përgjigje të tyre, si dhe të përqasjes pozitive të bankave, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje të shpejtë e të qëndrueshme gjatë vitit 2023, duke arritur së fundmi nivelin 14%. Rritja e kreditimit kishte disa tipare pozitive: kredia e re kishte një bazë të gjerë sektoriale; ajo ishte e përqendruar në monedhën tonë kombëtar, pati një orientim në rritje drejt financimit të investimeve, si dhe nuk dëmtoi cilësinë e përgjithshme të portofolit. Të tre këto tipare kanë vijuar dhe janë forcuar më tej gjatë vitit 2024.

Falë këtij reagimi, inflacioni dhe pritjet për të qëndrojnë tashmë pranë objektivit tonë prej 3%, ndërkohë që parashikimet për të ardhmen janë pozitive”, tha ai.