Vendosni fjalën kyçe....

Skandali te Onkologjiku/ SPAK-u nis hetimet, kërkon nga GJKKO verifikimin e kushteve për masat ndaj 7 të akuzuarve


Pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë, SPAK ka nisur hetimet për skandalin te Onkologjiku, ku mjekët nuk u jepnin shërbim pacientëve me tumor por i orientonin ata tek klinika private e kirurgut Edmond Gashi.

SPAK kishte 10 ditë afat për të regjistruar ose jo procedimin pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa hetimet po ndiqen nga prokurori Elvin Gokaj. Ky i fundit ka çuar një ditë më parë në GJKKO kërkesën për të rivlerësimin e masave të sigurisë për të akuzuarit.

SPAK ka regjistruar hetimet për 3 vepra penale, kontrabandë ilaçesh, shpërdorim detyre dhe korrupsion . Dy veprat e para penale ishin ngritur edhe nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa me kalimin në SPAK është ngritur edhe një tjetër akuzë ajo e korrupsionit.

Më 26 Qershor, Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit  dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin e Onkologjikut. Mjeku Edmond Gashi dyshohet se në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij. Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.

Përveç Edmond Gashit, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri(Pere), mjeke, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin bënin “pazar” me jetën e pacientëve.

Nga hetimet u zbulua se në Onkologjik u instalua një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës.

Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike. Edhe KLSH ka bërë një kallëzim për rastin, në SPAK. “Jemi të detyruar që konkluzionet tona për Onokologjikun, ti drejtojmë në institucionin që është institucioni kompetent për të ndjekur në mënyrën më të plotë të mundshme të gjithë tablo të skeletit të ligjit penal, pra Prokuroria Speciale”, është shprehur më parë kreu i KLSH.

Masat në fuqi për të akuzuarit e dosjes ‘Onokolgjiku’

-Edmond Gashi, mjek onkolog në spitalin e Onkologjikut– “Arrest shtëpie” – Shpërdorim detyre

-Alketa Pere Ymeri mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut – “Detyrim paraqitje” –  Shpërdorim detyre

-Brikena Qirjazi Ish zv.drejtoreshë e QSUT – “Detyrim paraqitje” – ”Shpërdorim detyre”

– Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut – “Detyrim paraqitje” – Shpërdorim detyre

-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë – “Detyrim Paraqitje” – Shpërdorim detyre

-Halil Gashi administrator i klinikës  Megis, babai i mjekut Gashi – “Detyrim paraqitje” – Fshehje e te ardhurave  

-Florian Marku administrator farmacie  – “Arrest shtëpie”