Anëtarët e Kongresit u informuan se atenatori i Donald Trumpit, Thomas Crooks, u pa nga Shërbimi Sekret 10 minuta para se ish-presidenti të dilte në skenë dhe 20 minuta para se të qëllohej.
Të shtunën, 20-vjeçari Crooks qëlloi disa herë në drejtim të kandidatit republican Trump, duke i prerë veshin, duke plagosur rëndë dy pjesëmarrës në tubim dhe duke vrarë tragjikisht ish-zjarrfikësin Corey Comperatore.
Pas ditësh pritjeje për të mësuar më shumë për atentatin, ligjvënësit u informuan nga FBI dhe Shërbimi Sekret të mërkurën mbi hollësitë kryesore rreth hetimit në vijim.
Burimet në telefon i thanë DailyMail se ka kaluar më shumë se një orë nga lëvizja e 20-vjeçarit deri tek gjuajtja e tij fillestare. Akoma më shqetësuese, snajperët e Shërbimit Sekret panë Crooks në çati 20 minuta para se të qëllonte ish-presidentin.
Në orën 5:52 pasdite qitësi ‘i dyshimtë’ u pikas në çati nga snajperët.
Trump doli në skenë në orën 18:02.
“Ka kaluar tmerrësisht shumë kohë qëkur është pikasur deri kur ka qëlluar dhe më pas është eliminuar,” tha burimi.
Senatori republican Mike Lee, e konfirmoi këtë në një postim në X pasditen e së mërkurës.
“Ata e kishin identifikuar sulmuesin si “të dyshimtë” plot 19 minuta para të shtënave,” postoi ai.
Lee tha se senatorët u lejuan të bënin vetëm katër pyetje gjatë konferencës.
Drejtoresha e Shërbimit Sekret Kimberly Cheatle nuk e dinte se si Crooks u ngjit në çati, shtoi burimi.
Gjithashtu në pikëpyetje gjatë konferencës ishte motivi i mundshëm i Crooks për të kryer një mizori të tillë.
Zyrtarët nuk konfirmuan një motiv të saktë dhe thanë se arsyetimi i tij mbetet një mister.
Ata thanë se nuk kanë gjetur ende ndonjë material ideologjik që mund të hedhë dritë pse Crooks vendosi të qëllonte ish-presidentin.
Por, ata zbuluan se Crooks kishte disa llogari në platforma të koduara të cilat ata ende po punojnë për t’i zbërthyer, tha burimi.
“Ai u identifikua si një personazh i dyshimtë sepse ai kishte një matës largësie si dhe një çantë shpine. Dhe kjo ishte më shumë se një orë përpara se të shtënat të ndodhnin”, tha senatori republikan John Barrasso, në Fox News të mërkurën pasdite.
“Gjatë kësaj ore, ai nuk duhej humbur nga sytë. Dikush duhet t’i ndjekë këto, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Nuk ka asnjë provë që kjo ka ndodhur.”
Drejtoresha e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle, ka thënë se puna e agjencisë në tubim ishte “e papranueshme”, të martën në mbrëmje, por më herët ajo ishte përpjekur t’ia kalonte përgjegjësinë policisë locale. Menjëherë pas të shtënave, ajo vuri në dukje se si autoritetet lokale ishin përgjegjëse për sigurimin e ndërtesës ku ndodhej Crooks.
Më vonë, të martën ajo tha se Shërbimi Sekret ishte “përgjegjës i vetëm” për mosparandalimin e sulmit.
Për ngjarjen e rëndë ka hetime të shumëfishta si nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) – agjencia që mbikëqyr Shërbimin Sekret – ashtu edhe në Kongres.
Cheatle pritet të dëshmojë për të shtënat të hënën përpara Komisionit të Mbikëqyrjes së Kongresit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Daily Mail
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani