Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X në lidhje me rizgjedhjen e Ursula Von Der Leyen në krye të Komisionit Evropian, duke e cilësuar atë si “një deklaratë të fuqishme që shënon fillimin e një kapitulli të ri në qeverisjen e Bashkimit me një hyrje rigjallëruese”.
Rama theksoi se mezi pret të vazhdojë punën me Presidenten e KE për integrimin e Shqipërisë në BE, por edhe të rajonit.
“Vota e Parlamentit Evropian për rizgjedhjen e Ursula Von Der Leyen është një deklaratë e fuqishme që shënon fillimin e një kapitulli të ri në qeverisjen e Bashkimit me një hyrje rigjallëruese. Shqipëria e mirëpret këtë deklaratë me shpresë të përtërirë dhe besim të plotë te lidershipi i Ursulës. Ne përgëzojmë qëndrimin e saj të qartë për Ballkanin Perëndimor në fjalimin e saj sot në Parlamentin Evropian. Mezi pres të vazhdoj punën me Presidentin e Komisionit për ta futur Shqipërinë në BE dhe për të integruar më tej BE-në me Ballkanin Perëndimor”, shkruan Rama.
Ndërkaq edhe Presidenti i Republikes së Shqipërisë, Bajram Begaj përmes një postimi në rrjetin social X, e ka uruar Ursula Von der Leyen me rastin e rizgjedhjes së saj Prsidente e Komisionit Evropian.
Begaj shkruan se do të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe BE-së, teksa punojnë për finalizimin e anëtarësimit të vendit drejt Bashkimit Europian.