Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen humb në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë çështjen mbi vaksinat COVID-19


Shefja e Komisionit Evropian Von der Leyen ka humbur një çështje të diskutueshme mbi transparencën e kontratave të vaksinave kundër COVID-19 në prag të një votimi vendimtar në Parlamentin Evropian për të konfirmuar emërimin e saj si Presidente e Komisionit.

Vendimi erdhi pak më shumë se 24 orë përpara se e ardhmja politike e von der Leyen të vendoset nga anëtarët e Parlamentit Evropian. Asaj i duhen 361 nga 720 ligjvënësit e BE-së.

“Ajo duhet të bëjë lëshime mbi këtë për të pasur votën tonë,” tha për POLITICO një delegate brenda Renew Europe, e cila foli në kushte anonimiteti, duke shtuar: “Është e rëndësishme që von der Leyen të tregojë se ajo mund të vlerësojë vetë seriozitetin dhe zgjidhjen e duhur.”

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (ECJ) anuloi dje një vendim të Komisionit Evropian për të fshehur pjesë të caktuara të kontratave të vaksinës Covid në mes të përpjekjeve të Von der Leyen për të fituar mbështetje për rizgjedhje.

Në tetor 2021, eurodeputetët e Gjelbër kërkuan qasje në kontratat e vaksinës COVID-19 të negociuara nga Komisioni për të ditur termat dhe kushtet e marrëveshjeve.

Sipas grupit, vendimi për ta çuar çështjen në Gjykatën Evropiane erdhi pas muajsh korrespondencë me Komisionin Evropian që kërkonte qasje transparente të kontratave, për të cilat ekzekutivi dha vetëm versione të redaktuara shumë. Komisioni pranoi vetëm t’u jepte qasje të pjesshme disa kontratave, duke argumentuar se disa pjesë ishin redaktuar për të mbrojtur interest tregtare ose për çështje të privatësisë. Eurodeputetët e Gjelbër më pas e çuan Komisionin në gjykatë për refuzimin.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur sot se Komisioni nuk i ka dhënë qasje të mjaftueshme marrëveshjeve të blerjes së vaksinave dhe konsideron se vendimi i ekzekutivit për të publikuar vetëm versione të redaktuara të kontratave përmban parregullsi. 

Vendimi vjen vetëm një ditë përpara se Parlamenti Evropian të votojë për riemërimin e Von der Leyen si Presidente e Komisionit.  E lavdëruar në fillim për negocimin e kontratave të vaksinave kundër COVID-19 duke i bërë ato të disponueshme në Evropë, ajo u errësua shpejt nga mungesa e transparencës.

Sipas Gjykatës, Komisioni “nuk tregoi se qasja më e gjerë në ato klauzola do minonte në fakt interest tregtare të kompanive farmaceutike”.

Deri tani, çështja nuk ka ndikuar në kandidaturën e von der Leyen pasi ajo u bë nominimi zyrtar me konsensus midis forcave kryesore politike në mandatin e fundit – EPP, S&D dhe Reneë Europe.

Ky vendim, megjithatë, paraqet një dilemë për të Gjelbërit – të cilët kundërshtuan redaktimet e Komisionit përpara Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Të Gjelbrit janë përballur me von der Leyen ditët e fundit, teksa ajo kërkon të mbështesë nominimin e saj përpara votimit.

“Është e rëndësishme që gjykata të ketë konfirmuar rëndësinë e arsyetimeve të duhura për mbrojtjen e interesave tregtare. Ky vendim është i rëndësishëm për të ardhmen, pasi Komisioni i BE-së pritet të ndërmarrë më shumë prokurime të përbashkëta në fusha si shëndetësia dhe potencialisht mbrojtja,” tha eurodeputeti i Gjelbër. Tilly Metz, një nga deputetët që paraqiti kërkesën origjinale, në një deklaratë për shtyp pas vendimit, duke shtuar: “Komisioni i ri Evropian duhet të përshtatë tani trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente që të jetë në përputhje me vendimin e sotëm”.

“Komisionit i duhej të vendoste një ekuilibër të vështirë midis të drejtës së publikut, përfshirë deputetët, për informacion, dhe kërkesave ligjore që rrjedhin nga vetë kontratat e COVID-19, të cilat mund të çojnë në pretendime për dëmshpërblime me kosto për taksapaguesve.”, tha ekzekutivi i BE-së në një deklaratë për shtyp pas vendimit.

Në deklaratë thuhet se Komisioni konsideron se i ka dhënë Parlamentit Evropian informacion të mjaftueshëm për kontratat e vaksinës COVID-19, në përputhje me një Marrëveshje Kornizë midis dy institucioneve.

Komisioni “rezervon mundësitë e tij ligjore” dhe do studiojë implikimet e vendimit. Ai ka dy muaj për të apeluar çështjen.

Ky nuk është rasti i vetëm me të cilin përballet Von der Leyen për blerjet e vaksinës COVID-19. 

Një vendim nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në një çështje të sjellë nga New York Times – duke i kërkuar Von der Leyen të zbulonte mesazhet me tekst që ajo shkëmbeu me CEO-n e Pfizer Albert Bourla gjatë negociatave të marrëveshjes së vaksinës – pritej në fillim të këtij viti. 

Megjithatë, një burim i GJED-së konfirmoi për Euronews se çështja është ende në proces dhe asnjë vendim nuk është caktuar ende pa asnjë tregues se kur mund të pritet. 

Komisioni pretendon se natyra e mesazheve me tekst do të thotë se ato zakonisht nuk kualifikohen si dokumente të arkivueshme, pasi ato zakonisht nuk përmbajnë politikat, veprimtaritë dhe vendimet e institucionit.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) gjithashtu njoftoi hapjen e një hetimi për blerjen e vaksinave në BE gjatë pandemisë. Në këtë rast, pyetja është nëse EPPO ka kompetencën për të vlerësuar nëse Komisioni Evropian ka kryer ndonjë keqbërje në negocimin e vaksinave kundër COVID-19 me Pfizer.

Pas një ankese penale të paraqitur nga një individ, autoritetet belge nisën çështjen në fillim të vitit 2023. Më pas, qeveritë e Hungarisë dhe Polonisë iu bashkuan padisë. Gjykata belge e Liège e ka shtyrë vendimin deri në dhjetor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Euronews

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani