Katër udhëtarë humbën jetën kur 12 vagonë treni dolën nga shinat në Uttar Pradesh, Indi të enjten. Nga aksidenti mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë.
Zyrtarët vendas në distriktin Gonda po mbikëqyrin operacionet e ndihmës me ndihmën e fshatarëve nga zona dhe disa ambulanca janë në vend, kanë thënë autoritetet.
Në pamjet e publikuara në internet, të mbijetuarit mund të shiheshin duke u ulur pranë vagonëve të trenave të dalë nga shinat ndërsa operacionet e shpëtimit ishin duke u zhvilluar. Treni po udhëtonte nga qyteti i Dibrugarh në shtetin verilindor të Assam për në Chandigarh, Punjab.
Zyrtarët janë udhëzuar t’i çojnë të plagosurit në spital si një “prioritet kryesor” dhe “t’u ofrojnë atyre trajtimin e duhur”, postoi Yogi Adityanath, kryeministri i Uttar Pradesh, në X. Një hetim i nivelit të lartë është urdhëruar pas incidentit, raportoi gazeta Hindu.
Të gjithë trenat që ishin planifikuar të udhëtonin në të njëjtën rrugë ose janë shmangur ose janë anuluar fare, thuhet në raport. Ndërkaq, Ministria e Hekurudhave ka bërë të ditur se do jepet dëmshpërblim për të dëmtuarit nga ngjarja, si dhe për familjet e të ndjerëve.
Ndërkohë, opozita indiane nxitoi të kritikonte qeverinë pas tragjedisë. Mallikarjun Kharge, presidenti i Kongresit Kombëtar Indian, partia kryesore opozitare, e përshkroi aksidentin si “një shembull tjetër se si qeveria ka rrezikuar sistematikisht sigurinë hekurudhore”.
Ai i kërkoi qeverisë federale të vendosë “sistemin kundër përplasjes Kavach” në të gjitha rrugët për të parandaluar aksidente të mëtejshme.
Kavach është një sistem kontrolli treni sinjalizues me kabina të pajisura kundër përplasjes i zhvilluar në Indi.
Muajin e kaluar, Ministria e Hekurudhave zbuloi planet për të zbatuar sistemin në 44,000 km linja brenda pesë viteve të ardhshme. Megjithatë, opozita i ka kërkuar qeverisë federale të përshpejtojë zbatimin e saj në dritën e disa aksidenteve fatale të trenave gjatë viteve të fundit.