Australia është goditur nga një ndërprerje e madhe e sistemit të IT-së që ka ndërprerë bankat, telekomin, mediat dhe linjat ajrore.
Koordinatori Kombëtar i Sigurisë Kibernetike i Australisë tha të premten se ishte në dijeni të një “ndërprerjeje teknike në shkallë të gjerë që prek një numër kompanish dhe shërbimesh në gjithë Australinë”.
“Informacioni ynë i deritanishëm është se kjo ndërprerje lidhet me një problem teknik me një platformë softuerike të palëve të treta të përdorura nga kompanitë e prekura,” tha agjencia në një deklaratë.
“Nuk ka asnjë informacion që sugjeron se është një incident i sigurisë kibernetike. Ne vijojmë të jemi në komunikim me palët kryesore të interesuara.”
Firma e sigurisë së IT-së Crowdstrike tha në një mesazh të regjistruar telefonik se ishte në dijeni të raporteve të ndërprerjes së sistemit operativ Windows të Microsoft.
Aeroporti i Sidneit tha se fluturimet nuk ishin ndërprerë, megjithatë udhëtarët po përballen me vonesa.
“Ne kemi aktivizuar planet tona të emergjencës dhe kemi vendosur staf shtesë në terminalet tona,” tha aeroporti në një postim në X.
Aeroporti i Melburnit tha se procedurat e kontrollit për disa linja ajrore ishin prekur.
Korporata Australiane e Transmetimeve dhe Rrjeti Ten konfirmuan gjithashtu se sistemet e tyre ishin prekur.
Policia në shtetin e Uellsit të Ri Jugor tha se ishte në dijeni të ndërprerjes dhe kushdo që përballet me një emergjencë duhet të telefonojë në numrin e urgjencës 000.