Deputeti i sapo zgjedhur i Parlamentit Evropian për partinë Demokracia e Re në Greqi, Fredi Beleri në një intervistë për mediat në vendin fqinj tha se nëse nuk lirohet nga organet e drejtësisë shqiptare do ta çojë çështjen në Strasburg.
Ai u shpreh i qartë se çështja e tij me institucionet e drejtësisë shqiptare mund të marrë vite por që sipas tij mund të marrë vendim përfundimtar në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të njeriut.
“Nëse nuk më lirojnë me 2/3 e dënimit, në mes të tetorit më mbaron dënimi. Sigurisht që aventura ime gjyqësore do të marrë vite, sepse do të finalizohet në Strasburg. Do ta çoj deri në fund, besoj se është bërë një padrejtësi e madhe dhe kemi përpara një maratonë gjyqësore deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, ka thënë Beleri.
Ai gjatë intervistës për mediat greke, tha se do ketë prioritet si eurodeputet që të tregojë problemet me të cilat përballet për sundimin e ligjit dhe të drejtën për vetëvendosje që nuk respektohet në Shqipëri.
“Sigurisht që do të jetë prioriteti im të tregoj problemet me të cilat përballet në lidhje me sundimin e ligjit dhe të drejtën për vetëvendosje që nuk respektohet në Shqipëri. Rezultatet e regjistrimit të fundit janë gjithçka tjetër veçse të vërteta. Të dhënat janë falsifikuar”, është shprehur ai për mediat greke.
Beleri tha se “me mundësinë që kam në Parlamentin Europian, mund të kthej në qendër të vëmendjes dhe të evidentoj në të gjithë Evropën problemet me të cilat përballet minoriteti grek si dhe qytetarët shqiptarë”.