Vendosni fjalën kyçe....

Demokratët shtyjnë procesin e emërimit të Biden


Partia Demokratike ka shtyrë procesin e emërimit të kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Një thirrje virtuale për të emëruar Presidentin Joe Biden si kandidatin e Demokratëve për zgjedhjet e 5 nëntorit, e planifikuar për javën e ardhshme, tani do ndodhë diku në gusht, ka njoftuar partia.

Komiteti Kombëtar Demokratik duhej të mblidhej të premten dhe të përmbyllte rregullat për procedurën, të propozuara fillimisht në maj për të siguruar qasjen në votime. Ditët e fundit, megjithatë, disa anëtarë të partisë kanë kundërshtuar “nxitimin” e procesit përpara konventës.

Dërguar te 186 anëtarët e komitetit të mërkurën, letra konfirmon se “nuk do fillojë votimi përpara 1 gushtit”, por vë në dukje se thirrja virtuale do ndodhë para se të fillojë Konventa Kombëtare Demokratike më 19 gusht.

Përmbushja e afateve të votimit shtetëror dhe shmangia e padive të mundshme “është arsyeja kryesore për kryerjen e një procesi votimi virtual”, shtohej në letër.

Propozimi është një procedurë tradicionale me anë të së cilës delegacionet shtetërore i japin votat kryesore të nominuarit në konventë. Republikanët e bënë këtë të hënën, duke nominuar zyrtarisht Donad Trumpin.

Të paktën 21 demokratë të Kongresit i kanë bërë thirrje publikisht Bidenit të largohet nga gara, duke përmendur paraqitjen e tij të dobët në debatin e 27 qershorit me Trumpin, moshën e shtyrë dhe çështje të mundshme neurologjike.

Sipas Neë York Times, figura të larta partiake si udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer dhe ish-kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi, i kanë kërkuar Bidenit të largohet nga gara. Rreth 70% e demokratëve në një sondazh të fundit mbështetën largimin e Biden.