Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e lartë e OKB-së: Pushtimi i territoreve palestineze nga Izraeli është “i paligjshëm”


Gjykata e lartë e OKB-së tha të premten se prania e Izraelit në territoret palestineze është “e paligjshme” dhe bëri thirrje që prezenca të përfundojë dhe ndërtimi i vendbanimeve të ndalet menjëherë, duke lëshuar një dënim të paprecedentë dhe gjithëpërfshirës të sundimit të Izraelit mbi tokat që pushtoi 57 vjet më parë.

Në një opinion jo detyrues, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vuri në dukje një listë të gjerë politikash, duke përfshirë ndërtimin dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, përdorimin e burimeve natyrore të zonës, aneksimin dhe imponimin të kontrollit të përhershëm mbi tokat dhe politikave diskriminuese kundër palestinezëve, për të cilat thuhet se të gjitha shkelin ligjin ndërkombëtar.

Kolegji prej 15 gjyqtarësh tha se “abuzimi i Izraelit me statusin e tij si fuqi pushtuese” e bën “praninë e tij në territorin e pushtuar palestinez të paligjshëm”. Ai thotë se prania e tij e vazhdueshme ishte “ilegale” dhe duhet të përfundojë “sa më shpejt të jetë e mundur”, raporton France 24.

Gjykata thotë se Izraeli duhet të përfundojë menjëherë ndërtimin e vendbanimeve dhe se vendbanimet ekzistuese duhet të hiqen, sipas opinionit prej 83 faqesh të lexuar nga presidenti i gjykatës, Nawaf Salam.

Izraeli, i cili normalisht i konsideron Kombet e Bashkuara dhe gjykatat ndërkombëtare si të padrejta dhe të njëanshme, nuk dërgoi një ekip ligjor në seancat dëgjimore. Por dorëzoi komente me shkrim, duke thënë se pyetjet e bëra në gjykatë janë të paragjykuara dhe nuk adresojnë shqetësimet e sigurisë izraelite. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ndërhyrja e gjykatës mund të dëmtojë procesin e paqes, i cili ka mbetur në stanjacion për më shumë se një dekadë.

Grupi militant palestinez Hamas, i cili sundon Rripin e Gazës, bëri thirrje për veprim “të menjëhershëm” ndërkombëtar për t’i dhënë fund pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli pasi GJND-ja nxori vendimin e saj.

Një deklaratë nga grupi, i cili ka luftuar kundër Izraelit në Gaza që kur udhëhoqi sulmet vdekjeprurëse të 7 tetorit në Izraelin jugor, tha se vendimi e vendos “sistemin ndërkombëtar përpara imperativit të veprimit të menjëhershëm për t’i dhënë fund okupimit”.

Zyra e presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas përshëndeti vendimin “historik” të GJND-së.

“Presidenca e mirëpret vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e konsideron atë një vendim historik dhe kërkon që Izraeli të detyrohet ta zbatojë atë”, tha ajo në një deklaratë për agjencinë e saj zyrtare të lajmeve, menjëherë pasi vendimi u bë publik.

Në përgjigje të vendimit, kryeministri izraelit Binyamin Netanyahu tha se Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor janë pjesë e “atdheut” historik të popullit hebre.

“Populli hebre nuk është pushtues në tokën e vet – as në kryeqytetin tonë të përjetshëm Jerusalemin dhe as në tokën e të parëve tanë në Jude dhe Samari”, tha ai në një postim në X. “Asnjë vendim i rremë në Hagë nuk do ta shtrembërojë këtë e vërteta historike dhe gjithashtu ligjshmëria e vendosjes izraelite në të gjitha territoret e atdheut tonë nuk mund të kontestohet”.

Mendimi i gjykatës, i kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pas një kërkese palestineze, nuk ka gjasa të ndikojë në politikën e Izraelit. Por jehona e tij – duke përfshirë thënien se Izraeli nuk mund të pretendonte sovranitet në territore dhe po pengonte të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje – mund të ndikojë në opinionin ndërkombëtar.

Ky opinion vjen në sfondin e sulmit shkatërrues ushtarak 10-mujor të Izraelit në Gaza, i cili u shkaktua nga sulmet e 7 tetorit. Në një rast të veçantë, GJND-ja po shqyrton një pretendim të Afrikës së Jugut se fushata e Izraelit në Gaza përbën gjenocid, një pretendim që Izraeli e mohon me forcë.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Palestinezët kërkojnë të tre zonat për një shtet të pavarur.

Izraeli e konsideron Bregun Perëndimor si një territor të diskutueshëm, e ardhmja e të cilit duhet të vendoset në negociata, ndërsa ka zhvendosur popullsinë atje në vendbanime për të forcuar kontrollin e tij.