Gjatë debatit të organizuar dje në studion e Grida Dumës në Top Channel, pati një këmbim argumentesh shumë interesante ndërmjet Dash Shehit dhe Shpëtim Idrizit. Ky i fundit u përpoq që të hidhte kartën e lëndimit dhe reminishencës së vuajtjeve të komunitetit çam 80 vite më parë, por Dash Shehi në një moment e konsideroi si patetike këtë mënyrë të bërit politikë të Idrizit, duke i bërë atij një pyetje asgjesuese:
“Po mire more, ti me të drejtë thua që grekët ta kanë vrarë gjyshin 80 vite më parë, po mua që ma kanë vrarë gjyshin shqiptarët në mes të oborrit, unë çfarë duhet të bëj sot?”, – e pyeti Shehi duke e gufosur dhe duke e lënë pa argument Shpëtim Idrizin.
Gufosja e Shpëtim Idrizit nuk është dhe aq e thjeshtë, pasi ky i fundit është në krye të një formacioni politik me shumë potencial siç është komuniteti çam, por ajo që Dashamir Shehi e quan “patetizëm të verbit politik të Idrizit” i ka motivet dhe rrënjët në tendencën e Idrizit për të fshehur përgjegjësitë dhe dështimet kolosale që ka si njeriu në krye të komunitetit çam.
Patetizmi që me të drejtë diktoi Dashamir Shehi, nuk është thjesht kufizim i Idrizit në nocione dhe oratori, por është paketim i domosdoshëm i tij, paketim i dështimit dhe shndërrimit të një kauze si kauza çame në një biznes familjar për Idrizin.
Ka disa paradokse në qëndrimin e Idrizit që e bëjnë shumë të thjeshtë hilenë e tij me ndjenjat e përvuajtjes të 80 viteve më parë, për të kamufluar veprimtarinë e tij reale sot.
Fjala vjen, si është e mundur që njeriu i zgjedhur për të çuar përpara kauzën çame, flet gjithë kohës si historian i lënduar dhe jo si politikan modern?
Shpëtim Idrizi është zgjedhur për të përmirësuar interesat dhe të ardhmen e këtij komuniteti apo për të mbajtur leksione katedre për të kaluarën?
Si është e mundur që nje drejtues që duhet të ofrojë dhe zbatojë strategji organizative për të ardhmen, di të merret vetëm me të kaluarën?
Janë studiuar dhe nxjerrë me saktësi ngjarjet e dhunës ndaj çamëve 80 vite më parë, por nuk dimë fare sot se sa çamë jetojnë në Greqi pas viteve 90-të, sa të rinj çam kanë lindur në Greqi dhe janë shkolluar atje pas viteve 90-të. Po këta çfarë janë? Sa janë? Kush i përfaqëson këta?
Cili është plani strategjik për lobimin e çështjes çame në nivel politik vendas, diplomatik ndërkombëtar dhe biznesi? Me çfarë parash do bëhet ky lobim? Si do bëhet konkretisht dhe për sa vite? Si do sigurohet zoti Idrizi për garantimin e kontiniutetit të këtij lobimi?
A mbledh dot kuotizacione zoti Idrizi siç mblidhnin kosovarët për kauzën e tyre?
Pse zoti Idrizi kur mori për herë të parë pushtet me partinë çame synoi të kapte drejtorinë e patentave? A janë çamët një komunitet që kanë monopolin e autoshkollave vallë, apo ky ishte biznes personal i zotit Idrizi?
Çfarë vizioni ka zoti Idrizi për studentët çamë të ekselencës dhe si i ka përkrahur ata dhe si do i përkrahë ata në 30 vitet e ardhshme?
A ka negociuar ndonjëherë me partnerët politikë shqiptarë zoti Idrizi për të dhënë bursa për shkollimin e këtyre studentëve çamë për t’i çuar në universitetet më të mira perëndimore dhe më pas të lobojë për emërimin e tyre në struktura kyçe të diplomacisë apo shtetit tonë?
Apo ka marrë vetëm leje për kullë personale te rruga e Elbasanit dhe ndonjë tender tek-tuk këto vite?
Mund të rendisnim me lehtësi dhe 200 pyetje të tjera për zotin Idrizi, pasi privatizimi familjar që ai i ka bërë interesave të një komuniteti të tërë është aq arbitrar, sa është bërë e vështirë të kuptosh nëse pengesa e çamëve janë vet çamët apo është shteti grek.
Dje zoti Idrizi kishte në panel dhe një përfaqësues të Omonias i quajtur Marin Suli. Ky i fundit mbajti një qëndrim shumë interesant kur interpretoi ligjin e luftës me Greqinë. Ai foli më vërtetësi dhe me një kujdes shumë të veçantë për këtë çështje delikate, duke dhënë vetëm në debatin e djeshëm sinjale të qarta mirëkuptimi dhe la të nënkuptuar se ishin të hapura shtigjet që të zgjidhej ky ngërç në mënyrë përfundimtare.
Po me Marin Sulin që jep këto sinjale dhe mban këtë qëndrim elegant si do veprojë zoti Idrizi?
Do i nxjerrë në debate televizive ndonjë drejtor të vetin për ta sulmuar si tradhëtar belerist vorioepirist, apo do e kapitalizojë qëndrimin e Sulit në të mirë të kauzës çame dhe marrëdhënieve të mira me Greqinë?
Po me mjekë si Leonard Solis që kanë ndihmuar çamë me probleme shëndetësore më shumë nga ç’ka ndihmuar ndonjëherë Idrizi dhe gjyshi i tij, si duhet të veprojnë çamët?
Ta hedhin në kosh meqenëse ai është protektiv ndaj Belerit?
Kush do shkojë e do u flasë atyre qarqeve politike shoviniste greke atje në Athinë, për të nisur një kapitull të ri, do u flasë Idrizi nga tarraca e kullës në Tiranë, apo do punohet me këta grekët e Shqipërisë si Marin Suli, me të cilët ne marrim e japim në këtë vend dhe që e shohin realitetin në mënyrë shumë më objektive nga sa mund ta shohë një pakicë shoviniste politike në Athinë?
Po si ka mundësi që zoti Idrizi nuk ka asnjë sinjal dhe tezë politike që neve na bashkon me grekët por veçse teza ndarëse dhe reminishenca lufte?
Po japim një shembull. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, monopolizuan kontrollin politik në Shqipëri në duart e dy partive kryesore. Këto ndryshime goditën në palcë interesat organizative të komunitetit çam dhe atij grek njëherësh.
Po a e percepton dot zoti Idrizi se sa i takon këtyre ndryshimeve kushtetuese, komuniteti çam dhe ai grek në Shqipëri kanë interes të përbashkët që t’i zhbëjnë këto ndryshime?
Po pse nuk flet ai për këto ndryshime dhe i çliruar nga komplekset të deklarojë hapur fare që në këtë segment interesi mund të bashkëpunojë politikisht me minoritetin grek? Është Win-Win. Pse jo?
Një drejtor i emëruar nga zoti Idrizi del shpesh në televizione duke goditur Fredi Belerin me një fjalor të egër, të ndyrë dhe represiv, madje duke tentuar dhe ta tallë duke e quajtur “dyqanxhi”.
Por drejtorit të zotit Idrizi nuk i përputhet terminologjia me realitetin, zor se një dyqanxhi krijon dot takate në Parlamentin Evropian, gjasat janë që në dyqan privat dhe familjar është shndërruar kauza dhe partia çame, e cila nuk ka krijuar asnjë strategji, nuk ka stimuluar shkollimin e asnjë studenti ekselent çam, nuk ka lobuar me shtetin shqiptar për hapa konkretë juridikë dhe diplomatikë, nuk ka fare asnjë takat dhe asnjë mik as në Bruksel as në Tel Aviv, as në Uashington, e lëre më në Athinë.
Dyqanin me sa rezulton, e ka hapur dhe ja mban defterët Shpëtim Idrizi, e për ta paketuar si entitet gjasme politik e paketon me drejtorët e vet që flasin brroçkulla nacionaliste e fyese nëpër televizione, ose bën nga këto paketimet e përvuajtura me gjyshin dhe gjyshen.
Paketime dhe teza, që i zhbën Dash Shehi me një batutë.
Aq vlejnë këto paketime, sa një batutë e Dash Shehit.
Paketimi zhbëhet, mbetet vetëm dyqani familjar. / Hashtag.al
*******
Transkipt i debatit televiziv Shehi-Idrizi
Dash Shehi: Lufta dhe vuajtjet janë të zakonshme në Ballkan. Ne kemi rastin e freskët të Bosnjes, ka ndodhur tani afër në 1995-ën në historinë tonë moderne. Por duhet të shikojmë përpara se nuk shkon veç me inat e ankesa kjo punë. Duhet ta kapërcejmë këtë dramaticitetin e të qenit ballkanik. Për të hapur një rrugë të re, do t’I latojmë njëçik këto cepat e historisë tonë, ndryshe thyhen dhëmbët. Mbaron kjo punë. Ne s’duhet të mbajmë pozicion nacionalizmi bosh, sepse është një dallkaukllëk pa vlerë, nuk duhet të kemi dhe këtë ankimin patetik. Ne duhet të jemi të qartë që të shkojmë në Evropë, duhet të jemi të qartë që marrëdhëniet me Greqinë janë të domosdoshme, kjo do të bëjë që rruga dhe koha do sjellë emancipimin e të dyja komuniteteve.
Shpëtim Idrizi: Për këtë patetizmin nacionalist që thotë zoti Shehi, ka një problem shumë të madh Grida, ne i kemi gjallë nëpër shtëpia, unë kam babën gjallë në shtëpi kupton apo jo. Ndjeshmëria jonë dhe padrejtësia jonë është aty prezente dhe ne nuk mund ta harrojmë këtë. Po ju them që nëse ka shqiptarë që duan normalizim të marrëdhënieve me Greqinë ata janë shqiptarët e Çamërisë. Ne e bëmë lëvizjen për të hequr ligjin e luftës me Greqinë pikërisht sepse duam marrëdhënie normale me grekët, duam të kthehemi në shtëpitë tona. Çfarë po kërkojmë, ne po kërkojmë paqen dhe të ulemi në tavolinë për zgjidhje.
Grida Duma: Unë e di pse e tha Dashi atë të patetizmit, e para se është ngritur verbi nacionalist.
Dash Shehi: Unë e gjykoj në atë mënyrë, kupton ti, se ty gjyshin tënd për shembull e kanë vrarë grekët, por gjyshin tim e kanë vrarë shqiptarët në mes të oborrit. Po unë çfarë duhet të bëj?
Shpëtim Idrizi: Kjo është çështje tjetër..
Dash Shehi: Nuk mund të gjykojmë kështu politikisht pas 80 vitesh.