Vendosni fjalën kyçe....

Mazhoranca rrëzon kërkesën e opozitës për zgjatjen e “TIMS” me 60 ditë, Salianji paralajmëron kallëzim penal


Komisioni Hetimor për Sistemin TIMS pritet të paraqesë të martën raportin përfundimtar, ndërsa socialistët kanë refuzuar zgjatjen e afateve të komisionit.

Kreu i komisionit, deputeti demokrat Ervin Salianji, prezantoi disa fakte dhe prova mbi manipulimin e TIMS-it dhe akuzoi socialistët për pengimin e hetimeve dhe hartimit të raportit.

Salianji theksoi se detyra e tij është të sigurojë një raport përfundimtar dhe paralajmëroi se socialistët nuk do të arrijnë të bllokojnë hetimet me forcë.

Ekspertët e komisionit pohuan se procesverbalet e seancave të mbyllura nuk u janë vënë në dispozicion dhe se është e pamundur të hartojnë raportin brenda datës 21 korrik pa këto dokumente.

Deputeti demokrat Lefter Gështenja propozoi zgjatjen e afatit të komisionit me 60 ditë, por kjo kërkesë u rrëzua nga votat e anëtarëve socialistë. Në vend të kësaj, u miratua që raporti përfundimtar të paraqitet të martën.

Debatet

Toni Gogu: Sot të deklarojmë përfundimin e hetimit. Afati përfundon të dielën. Të martën të bëhet leximi i raportit përfundimtar. Sot deklarojmë përfundimin e hetimit, të martën mblidhemi për raportin.

Ervin Salianji: Doni të shpëtoni, nuk keni më as justifikimin e tualetit, doni ta mbyllni sa më shpejt.

Duke qenë se jemi në pamundësi të ushtrojmë veprimtari, duke qenë se PS dhe deputetët e saj bënë çdo përpjekje për t’iu shmangur përballjes dhe transparencës së zyrtarëve, përpjekje të paimagjinueshme për të mos zhvilluar mbledhjen, do ta bëjmë raportin pavarësisht se ka vetëm 2 ditë kohë…data 21 është afati i fundit, e marta të jetë ditë fundore, nëse ju e keni raportin të gatshëm siç ua kanë sjellë nga Ministria, na e dërgoni se ndoshta biem në dakordësi.

Hetimi parlamentar është i cunguar. Votimi 5:4.

Ditën e martë çdo lloj cirku do t’i përgjigjemi me kallëzim penal nëse nuk vini në dispozicion procesverbalet e zbardhura…Siç bëtë ndërhyrjen në TIMS në mënyrë të paligjshme, po bëni edhe mbrojtjen këtu në mënyrë të paligjshme.

Nasip Naço: Propozoj që mbledhja të martën të jetë në orën 17.00. Për shkak të agjendës së ngjeshur të komisioneve të Kuvendit. Shpresoj ta merrni parasysh që të mos na akuzoni në këtë drejtim.

Elda Hoti: Shqiptarët e panë që kishte ndërhyrje në TIMS dhe për llogari të kujt ishte bërë.

Ervin Salianji: Atëherë, mbledhja do të jetë ditën e martë, ora 17.00.