Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i DASH, Basha: Shqiptarët vidhen çdo ditë nga qeveria me tendera, konçesione dhe inceneratorë


Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve, i cili ngre shqetësimin se Shqipëria vuan nga korrupsioni i lartë, PPP-të, konkurrenca e pandershme, pastrimi i parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal duke goditur sipërmarrjen dhe pengojnë investimet e huaja.

Në një reagim në Facebook, Basha shkruan se shqiptarët përballen me fakte tronditëse se si qeveria ka vjedhur tendera, konçesione, PPP si edhe fondet e dhëna nga BE.

“Në 11 vite kemi dëgjuar justifikomet e Ramës për korrupsionin e përhapur në çdo degë të qeverisjes së tij, ku një herë e ka fajin sistemi, një herë individi, e së fundmi Perandoria Osmane. Ditë për ditë para shqiptarëve shfaqen fakte tronditëse se si qeveria e Edi Ramës e ka vjedhur Shqipërinë, me 3D e 5D, me tendera, konçesione, PPP, inceneratorë. 

Këta nuk kanë kursyer asgjë, as ilaçet e të sëmurëve, as ndihma për pandeminë dhe tërmetit të kamufluar me tendera sekretë, e së fundi doli se kanë vjedhur edhe fondet e BE-së, të cilat duhet të shkonin tek fermerët”, tha ai.

Sipas Bashës, raporti i DASH është thirrje për të bërë ndryshim në vend dhe se sipas tij kjo nis duke larguar qeverinë në pushtet.

“Ky raport është një tjetër thirrje për një ndryshim rrënjësor, që nis me ndëshkimin me votë të kësaj qeverie në zgjedhjet e ardhshme. Ku të gjitha formacionet politike dhe forcat e gjalla të shoqërisë, që duan t’i japin fund tranzicionit dhe pandëshkueshmërisë, që bashkëndajnë vlerat dhe parimet euroatlantike, që mbështesin SPAK dhe GJKKO, t’i dalin përballë dhe ta mundin këtë të keqe, që është qeveria më e korruptuar në Europë”, tha ai.