George Kurtz, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i firmës së sigurisë kibernetike CrowdStrike, ka thënë se kompanisë i vjen “thellësisht keq për ndikimin që u ka shkaktuar klientëve” pasi një përditësim i gabuar i softuerit shkaktoi një ndërprerje globale të IT.
Kurtz i tha NBC’s Today Show në SHBA se problemi ishte një defekt në një përditësim të vetëm, përcjell The Guardian.
“Ne e identifikuam këtë shumë shpejt dhe e ndreqëm problemin,” tha ai, duke shtuar se CrowdStrike tani “po punonte me secilin klient për t’ju siguruar atyre internet”.
Kurtz tha se kishte pasur një “ndërveprim negativ” midis përditësimit dhe sistemit operativ të Microsoft, i cili më pas kishte shkaktuar rrëzimin e kompjuterëve, duke shkaktuar ndërprerjen globale, e cila mbetet në vazhdim.
I pyetur se si një përditësim i gabuar mund të shkaktojë një kaos të tillë global, ai tha:
“Ne duhet të kthehemi dhe të shohim se çfarë ndodhi, pasi sistemet tona janë gjithmonë në kërkim të sulmeve më të fundit nga kundërshtarët tanë“.
Ai e bëri të qartë se nuk kishte mundësi të ishte një sulm kibernetik.
Megjithatë, edhe pse problemi ishte identifikuar dhe ishte lëshuar një rregullim, Kurtz tha se “mund të kalojë ca kohë që disa sisteme” të kthehen në normalitet, duke theksuar se ato nuk do të “vetrikuperohen automatikisht”.