Një sulm me raketa ruse ka goditur një kënd lojrash në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolayiv, duke vrarë të paktën tre persona, përfshirë një fëmijë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi më 19 korrik se sulmi plagosi gjithashtu pesë persona të tjerë. Zelensky bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të ndaluar “terrorizmin” rus.
Kryetari i bashkisë së Mykolayiv, Oleksandr Syenkevych, konfirmoi gjithashtu në Telegram se tre persona, përfshirë një fëmijë, humbën jetën në sulm.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka publikuar foto që tregojnë dy trupa, një nën rrënojat pranë hyrjes së një ndërtese dhe një tjetër në një zonë të pyllëzuar. Fotot gjithashtu tregojnë një person të marrë me barelë dhe xhamat e ndërtesave të shpërthyer.
Zelensky tha në një postim në Telegram se ky shkatërrim duhet të ndalet dhe bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare dhe për sisteme të reja mbrojtjeje për Ukrainën. Ai theksoi se Rusia duhet të ndjejë fuqinë e botës.
Presidenti ukrainas ka kërkuar shpesh që vendet perëndimore të ofrojnë më shumë sisteme mbrojtjeje ajrore për të mbrojtur Ukrainën nga sulmet e mëtejshme. Qyteti port i Mykolayiv dhe rajoni përreth janë targetuar shpesh nga sulme ruse. Guvernatori rajonal, Vitaliy Kim, raportoi gjithashtu se një raketë tjetër ka rënë në rajon më 19 korrik, shkruan Reuters.