Lulzim Basha, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, ka deklaruar se me planin e tyre, fermerët do të kenë mbështetjen e nevojshme për të përmirësuar mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre.
Programi përfshin 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta çdo vit dhe 50 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës në zonat rurale, çka do të ndihmojë në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e jetës së 150 mijë familjeve fermere.
Basha përmes një videomesazhi në të cilin konfirmon angazhimet e bëra publike në 1 qershor, në Kuvendin Programor të Partisë Demokratike gjithashtu theksoi se me alternativën e demokratëve euroatlantikë, fermerët do të kenë akses të garantuar në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare.
Ai shprehu besimin se kjo do t’i ndihmojë fermerët shqiptarë të ngrijnë kokën dhe të kthejnë tokën dhe punën e tyre në mirëqenie për ekonominë e Shqipërisë.
“Fermerët shqiptarë janë më të diskriminuarit në Ballkan, jo vetëm për shkak të korrupsionit të qeverisë Rama, e cila ka vjedhur edhe fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë, por edhe prej mungesës së mbështetjes dhe prioriteteve të gabuara në sektorin që punëson 33% të shqiptarëve.
Bujqësia meriton më shumë, fermerët meritojnë më shumë dhe përmes programit të demokratëve euroatlantikë do të kenë mbështetjen që meritojnë.
100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta çdo vit, si dhe 50 milionë euro për zhvillim infrastrukture për fermat dhe zhvillimin rural, do rrisin prodhimin dhe mirëqenien e 150 mijë familjeve fermere.
Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha në Facebook.