Pas përfundimit të lejes 5-ditore për të marrë betimin si eurodeputet, Fredi Beleri është rikthyer sot në qelinë e burgut në Fier.
Gjatë një prononcimi për mediat ai tha se u rikthye në burg pa e përdorur imunitetin e tij si eurodeputet, duke theksuar besimin e tij në drejtësinë shqiptare dhe atë europiane.
Beleri u shpreh se ishte i gëzuar që u shoqërua për në burg nga Petro Gjikuria, kandidati për bashkinë e Himarës, dhe shprehu besimin se Himara do të jetë në duar të sigurta nëse Gjikuria zgjidhet.
Ai njoftoi gjithashtu se ka kërkuar lirim me kusht dhe shpreson që drejtësia të japë një vendim të drejtë, duke shtuar se ndjen se nuk kishte arsye për të mos u kthyer në Shqipëri, e cila është shtëpia dhe jeta e tij.
Në fund, Beleri mirëpriti deklaratat e zoti Tavo përfaqësues i kundërshtarit të tij politik, dhe e ftoi atë për një bashkëpunim për të nxjerrë në krye të bashkisë Petro Gjikurinë.
“Siç u kisha thënë, u ktheva sot në burg. Nuk përdora imunitetin tim si eurodeputet. U ktheva se këtu në Shqipëri, është shtëpia ime dhe jam i bindur për drejtësinë time, në mos gjykatat këtu, në gjykatat europiane.
Jam shumë i gëzuar që më shoqëroi sot në burg kandidati për bashkinë e Himarës Petro Gjikuria një djalë i mirëfilltë nga Himara që s’ka lidhje me mercenarët që sjell pushteti për të komanduar Himarën. Himara në duart e Petro Gjikurisë do jetë e sigurt, do ketë vend në Bruksel, Amerikë dhe që këtej e tutje na presin vetëm ditë të mira.
Për mua ishte një eksperiencë e veçantë, isha i gëzuar, emocionuar dhe i kënaqur nga besueshmëria e votuesve grekë. Atje është një detyrim i madh dhe një angazhim për të dalë faqebardhë dhe për të mbështetur të drejta tona.
Kam kërkuar lirim me kusht, është e drejtë e imja, dhe shpresoj që drejtësia këtë herë të mos ndikohet dhe të marrë vendimin e drejtë. Asnjëherë nuk më vajti në mëndje të mos kthehem se këtu është shtëpia ime, këtu është jeta ime. Nuk kam arsye të mos kthehem.
Mirëpres deklaratat e zotit Tano edhe pse është përfaqësues i keqbërësit më të madh për Himarën në vitet e fundit. I bëjë ftesë të japim duart e të bashkëpunojmë e të nxjerrim në krye të bashkisë Petro Gjikurinë”, u shpreh për më tepër Beleri.
Kujtojmë se Beleri u arrestua më 12 Maj dhe u lirua nga qelia përkohësisht më 15 korrik me vendim të Drejtorisë së Burgjeve për t’u betuar si eurodeputet në Parlamentin Europian.
Sipas njoftimit, leja e Belerit niste henën (15 korrik) dhe përfundonte ditën e sotme, më 20 korrik, ku do të vijojë dënimin në burgun e Fierit.