Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Motoja jonë e bashkimit në diversitet, është më e fuqishmja e modernizimit të PD-së


Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot para mbështetësve të tij se motoja e bashkimit në diversitet është motoja më e fuqishme e modernizimit të PD-së.

Berisha u shpreh se kjo moto është ajo e shndërrimit të kësaj partie në një parti të vërtetë të vlerave më të çmuara të lirisë.

Ai vijoi duke ftuar çdo demokrate e demokrat të bashkohet me PD-në duke lënë mënjanë mendimet dhe problemet që mund t’i ndajnë.

“Demokrate e demokratë, duhet t’u rikujtoj se motoja jonë e bashkimit në diversitet është motoja më e fuqishme e modernizimit të PD-së.

Është motoja e shndërrimit të kësaj partie në një parti të vërtetë të vlerave më të çmuara të lirisë.

Miqtë e mi, ju rikujtoj ju dhe çdo shqiptari se midis të tjerash, njëri nga përkufizimet më të drejta të lirisë është se liria ime përfundon aty ky fillon liria e tjetrit.

Në këtë kontekst, ftoj çdo demokrate e demokrat të bashkohet me ne në diversitet sepse ato mendime, ato opinione, ato probleme që dhe mund të na ndajnë nga njëri-tjetri janë mikroskopike krahasuar me çështjet e mëdha që na bashkojnë.

Krahasuar me dashurinë për Shqipërinë që na bashkon.

Krahasuar me mbrojtjen e interesit kombëtar që na bashkon.

Krahasuar me misionin tonë historik të përmbysjes së diktaturës së shëmtuar të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Krahasuar me misionin tonë historik për rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.

Për rikthimin e rotacionit politik.

Për ndryshimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Për fitoren e PD-së.

Pra, është në detyrën tuaj demokrate e demokratë të shtrini dorën, të trokisni te çdo demokrate e demokrat pavarësisht se sa pak janë ata që ende hezitojnë të bashkohen me ne.

Të vijnë midis nesh si të barabartë mes të barabartëve, si bashkëluftëtarë në një betejë epike, në një betejë që kërkon guximin tonë.

Në një betejë që është beteja e jetës sonë.

Beteja e misionit tonë.

Beteja e shpëtimit të Shqipërisë.

E rikthimit të demokracisë në Shqipëri”, tha Berisha.