Rreth 40 persona raportohet se janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në Bangladesh, pasi protestat studentore të ndezura që nga fillimi i korrikut u shndërruan në të dhunshme. Protestuesit po kërkojnë reforma në sistemin e rekrutimit për vendet e punës në sektorin publik.
Tensionet u përshkallëzuan të hënën, kur një numër i madh protestuesish u përleshën me policinë dhe aktivistët pro-qeveritar në Universitetin e Dakës në kryeqytetin e vendit.
Qeveria mbylli të mërkurën për një kohë të pacaktuar të gjitha universitetet publike dhe private dhe dërgoi policinë e trazirave dhe forcat paraushtarake në kampuse. Të enjten, mijëra protestues sulmuan zyrën e transmetuesit shtetëror BTV dhe i vunë flakën ndërtesës.
Kryeministrja e Bangladeshit Sheikh Hasina ishte shfaqur në rrjet një ditë më parë për të bërë thirrje për paqe. Protestat janë më të mëdhatë që kur Hasina u rizgjodh për një mandat të pestë në fillim të këtij viti.
Numri i saktë i të vdekurve në përleshje është i paqartë. Anadolu raportoi të premten, duke cituar burime policore, se 39 persona u konfirmuan të vdekur. AFP dhe Al Jazeera kanë raportuar numrin e të vdekurve në 32, ndërsa Reuters ka thënë se 13 persona u vranë në përleshjet të enjten, duke i shtuar gjashtë personave të vrarë në fillim të kësaj jave.
Sipas gazetës Bangladesh, Daily Prothom Alo, rreth 27 persona janë vrarë në incidentet dhe më shumë se 1,500 janë plagosur. Gazeta raportoi se të premten shpërthyen përleshje të reja mes protestuesve dhe policisë në zona të ndryshme të kryeqytetit. Policia thuhet se ka qëlluar me granata trullosëse, predha gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Qeveria ka urdhëruar gjithashtu një mbyllje mbarëkombëtare të rrjetit të saj të internetit celular. Zunaid Ahmed Palak, ministri i Telekomunikacionit, i tha AFP se ishte e nevojshme “të garantohej siguria e qytetarëve”.
Protestuesit kanë kërkuar që qeveria të heqë kuotat e posaçme që lejojnë pasardhësit e veteranëve që luftuan në luftën e pavarësisë së Bangladeshit nga Pakistani në 1971, të marrin vende pune në qeveri. Në vend të kësaj, ata po kërkojnë rekrutim në një sistem të bazuar në merita. Aktualisht, 30% e vendeve të punës në qeveri janë të rezervuara për familjet e veteranëve.
Sistemi i kuotave u hoq në vitin 2018, por në qershor të këtij viti Gjykata e Lartë e riktheu atë, duke e vendosur heqjen e tij si antikushtetuese. Më 10 korrik, Gjykata e Lartë pezulloi kuotat dhe çështja është në pritje atje. Hasina u ka kërkuar demonstruesve që t’i besojnë Gjykatës së Lartë.