Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Hagës e Izraeli përplasen për vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor


Ndërtimi i vendbanimeve nga Izraeli në Bregun Perëndimor shkel Konventën e Gjenevës dhe përbën një politikë “aneksimit de-fakto”, ka deklaruar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ). Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka hedhur poshtë “vendimin si të rremë”, duke këmbëngulur se Bregu Perëndimor është tokë hebreje.

15 anëtarët e gjykatës ranë dakord të premten se “transferimi nga Izraeli i kolonëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem, si dhe ruajtja e pranisë së tyre nga Izraeli, është në kundërshtim me nenin 49 të Konventës së katërt të Gjenevës”.

Duke lexuar opinionin këshillimor jodetyrues, presidenti i ICJ-së, Nawaf Salam, e përshkroi ndërtimin e vendbanimeve të Izraelit në Bregun Perëndimor si një “aneksim de-fakto” të territorit dhe deklaroi se shteti hebre duhet t’i japë fund pranisë së tij “të paligjshme” në territoret e pushtuara palestineze “sa më shpejt të jetë e mundur”.

ICJ-ja ka hetuar “politikat dhe praktikat” e Izraelit ndaj territoreve të pushtuara palestineze që nga fillimi i vitit 2023, me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në një seri seancash në shkurt, ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez, Riad Malki, akuzoi Izraelin për aparteid dhe i bëri thirrje gjykatës që të shpallte pushtimin e tokës palestineze të paligjshëm. Izraeli nuk dërgoi përfaqësues ligjorë në seancat dëgjimore.

Ndërsa vendimi i së premtes do informojë qëndrimin e OKB-së për vendbanimet izraelite, gjykatës së OKB-së i mungon çdo mjet për të zbatuar vendimin.

“Populli hebre nuk është pushtues në tokën e vet dhe as në kryeqytetin tonë të përjetshëm Jerusalemin, as në tokën e të parëve tanë në Jude dhe Samari”, tha Netanyahu në një deklaratë menjëherë pas leximit të vendimit.

“Asnjë vendim i rremë në Hagë nuk do ta shtrembërojë këtë të vërtetë historike, ashtu siç nuk mund të kontestohet ligjshmëria e vendbanimeve izraelite në të gjitha territoret e atdheut tonë”, shtoi ai.

Partnerët e koalicionit të linjës së ashpër të Netanyahut kanë bërë thirrje për një përgjigje edhe më të ashpër. Duke folur me gazetarët javën e kaluar, ministri i Financave Bezalel Smotrich tha se Netanyahu duhet të aneksojë zyrtarisht të gjithë Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor nëse gjykata do të vendoste kundër Izraelit. Smotrich premtoi gjithashtu se do përshpejtojë ndërtimin e vendbanimeve për “të penguar krijimin e një shteti palestinez.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967. Bregu Perëndimor është i ndarë në tre zona, me më pak se një të pestën e territorit të tij nën kontrollin e plotë të Autoritetit Palestinez. Pak më shumë se një e pesta është nën kontrollin e sigurisë izraelite dhe kontrollin administrativ palestinez, ndërsa pjesa tjetër – që përfshin rreth 60% të territorit – është nën kontrollin e plotë të Izraelit.

Është në këtë zonë të fundit – e emërtuar “Zona C” sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 2000 – ku Izraeli ka ndërtuar shumicën e vendbanimeve të tij. Sipas marrëveshjeve, Izraeli nuk ishte menduar kurrë të mbante kontroll të përhershëm mbi këtë zonë. Megjithatë, qeveria izraelite ka nënshkruar ndërtimin e afro 150 vendbanimeve atje që nga fillimi i viteve 2000, dhe më shumë se 450,000 kolonë jetojnë tani në Bregun Perëndimor, sipas të dhënave nga aktivistët izraelitë kundër vendbanimeve.