Shoko Miyata, kapitenia 19-vjeçare e ekipit japonez të gjimnastikës artistike, është tërhequr nga skuadra për Olimpiadën e Parisit pasi ka shkelur kodin e sjelljes së ekipit duke pirë duhan, tha Shoqata Japoneze e Gjimnastikës (JGA) te premten.
Zyrtarët e JGA thanë se Miyata mbërriti në Japoni të enjten pasi u largua nga kampi stërvitor i ekipit në Monako për hetim, pas të cilit u konfirmua shkelja, përfshirë pirjen e alkoolit.
Skuadra e femrave do garojë me katër atlete në vend të pesë, tha JGA në një konferencë për media.
“Ne kërkojmë falje nga thellësia e zemrës për këtë,” tha presidenti i JGA Tadashi Fujita, duke u përkulur thellë së bashku me zyrtarë të tjerë, përfshirë trajnerin personal të Miyata, Mutsumi Harada.
Shpresat kishin qenë të mëdha për ekipin japonez të gjimnastikës për femra, i cili po kërkonte të fitonte një medalje ekipore në Lojërat e Parisit për herë të parë që nga Lojërat Olimpike të Tokios 1964.
Trajneri Harada tha se ndërsa sjellja e Miyata kishte qenë e pamatur, ajo kishte qenë nën presion ekstrem për t’u paraqitur në nivelin më të lartë.
“Ajo po i kalonte ditët me të vërtetë e rënduar me kaq shumë presion”, tha ai, duke fshirë lotët.
“Unë do t’u lutesha njerëzve që ta kuptonin këtë.”
Shëndeti mendor me të cilin përballen atletët e rinj zuri në qendër të vëmendjes në Lojërat e fundit Olimpike në Tokio, kur superylli i gjimnastikës Simone Biles u tërhoq nga një garë pas tjetrës.
Gjimnastika artistike është një nga sportet më të njohura në Lojërat Verore dhe do të mbahet nga 27 korriku deri më 5 gusht.