Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, përmes një reagimi në rrjetet sociale, shprehet se drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit ndodhen në Memaliaj, atje ku mesnatën e së shtunës në një atentat të mirëorganizuar ndaj dy vëllezërve Kalemi, mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagos një i katërt.
Balla është shprehur se pritet të zbardhet sa më shpejt ngjarja në Memaliaj, ndërsa në Lezhë u parandalua një tjetër ngjarje e rëndë kriminale.
Reagimi i ministrit Balla
“Është detyrë kryesore e Policisë së Shtetit parandalimi i ngjarjeve kriminale, duke vlerësuar rrezikun dhe u angazhuar në zbardhjen e ngjarjeve të vjetra kriminale.
Janë këto ngjarje të vjetra kriminale rrezik potencial për ngjarje të reja.
Ndërsa drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit janë në Memaliaj ku presim zbardhjen sa më parë të jetë e mundur, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë sapo ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale.
Falë reagimit në kohë janë sekuestruar armët e zjarri dhe mina me telekomandë, të cilat do të përdoreshin dhe është ndaluar në flagrancë autori i dyshuar”.