Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u tërhoq të dielën nga gara presidenciale. Ai e njoftoi vendimin, pas thirrjeve të shumta në partinë e tij demokrate për të dalë nga gara pasi kishin humbur besimin tek aftësia e tij për të fituar ndaj rivalit republikan Donald Trump.
Vendimi vjen pas përshkallëzimit të presionit nga aleatët demokratë të Biden për t’u larguar pas debatit të 27 qershorit, në të cilin presidenti 81-vjeçar dha përgjigje të pakuptimta.
Biden planifikon të kryejë pjesën e mbetur të mandatit të tij në detyrë, i cili përfundon mesditën e 20 janarit 2025.
“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Dhe ndërsa ka qenë qëllimi im të kërkoj rizgjedhjen, besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të fokusohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia si President për pjesën e mbetur të mandatit tim”, shkroi Biden, në një letër të postuar në llogarinë e tij në rrjetin X.
Ai nuk shfaqi menjëherë mbështetjen e tij për Zëvendës Presidentes Kamala Harris, favoritja e partisë për nominimin në konventën e gushtit në Çikago por e falenderoi atë për mbështetjen që i ka dhënë.